Pse Uruguai i ka katër yje në fanellë?

0%

Arsyeja pse Uruguai lejohet të mbajë katër yje në fanellën e Kupës së Botës, edhe pse zyrtarisht ka fituar turneun vetëm dy herë, është sqaruar. Jemi më pak se një javë që kemi hyrë në Kupën e Botës 2026 dhe turneu tashmë po rezulton i paharrueshëm. Meksika, si vend pritës, siguroi një fitore 2-0 ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse që pa tre lojtarë të ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa skuadra si SHBA, Skocia, Australia dhe Gjermania regjistruan fitore të rëndësishme. Ndërkohë, favoritja Spanja u ndal në një barazim befasues 0-0 nga Kepi i Gjelbër, në atë që konsiderohet një nga surprizat më të mëdha të turneut deri tani. Disa kombëtare ende nuk e kanë zhvilluar ndeshjen e parë, përfshirë Uruguain, i cili do ta nisë fushatën kundër Arabisë Saudite në orët e para të së martës. Më pas do të përballet me Kepin e Gjelbër më 21 qershor dhe Spanjën më 27 qershor. Megjithatë, shumë tifozë vazhdojnë të pyesin pse stema e Uruguait ka katër yje, kur vendi ka fituar vetëm dy Kupa Bote të FIFA-s në histori. Dekada më parë, Uruguai fitoi Kupat e Botës të viteve 1930 dhe 1950, duke mposhtur respektivisht Argjentinën dhe Brazilin. Por përveç këtyre, ata u shpallën kampionë edhe në Lojërat Olimpike të vitit 1924 në Paris dhe 1928 në Amsterdam. Meqë në atë kohë nuk ekzistonte ende Kupa e Botës e FIFA-s, Uruguai i konsideron këto dy tituj olimpikë si kampionate bote, duke argumentuar se ato i bëjnë ata katër herë kampionë bote dhe për rrjedhojë të meritojnë katër yje. Ky interpretim i vendos ata përpara rivalëve si Argjentina, si dhe kombëtareve si Franca dhe Spanja. Ideja e vendosjes së yjeve në fanellë për të simbolizuar fitoret në Kupën e Botës u përdor fillimisht nga Brazili në vitin 1974, kur vendosi një yll mbi stemë për tre titujt e “Jules Rimet Trophy”. Që atëherë, Brazili ka shtuar edhe dy yje të tjerë për triumfet e viteve 1994 dhe 2002, duke u bërë kombëtarja më e suksesshme me pesë yje. Uruguai e ka përfshirë sistemin me katër yje në stemën e tij që nga viti 1991. Fillimisht FIFA nuk e kundërshtoi vendimin, por rreth 30 vite më vonë kërkoi që Puma, prodhuesi i fanellave të Uruguait në atë kohë, t’i hiqte yjet. Megjithatë, pasi Uruguai paraqiti prova për argumentin e tij historik, FIFA e pranoi përfundimisht këtë interpretim dhe katër yjet mbetën në fanellë deri sot..

Burimi: Bota Sot