Kjo është historia e Azë Brahimajt, gruas që si shqiponjë mbrojti jo vetëm derën e familjes, por u bë strehë edhe për bijtë e luftës që e thërrisnin “nanë”. Shkruan: Marsida Morina, studente e Gazetarisë Veshja e katundit, shamia e bardhë dhe rrudhat në fytyrë nuk e ndalonin një grua që, edhe në moshën 77-vjeçare, të mbante një revole në brez. Pamja e saj mund të kujtonte një grua të zakonshme fshati, por jo edhe botën e saj të brendshme. Pas shamisë së bardhë fshihej një grua që, përveçse kishte kaluar jetën mes punëve të shtëpisë dhe thurjes së çorapeve me lëmsh, kishte zgjedhur të bëhej pjesë e rezistencës bashkë me djemtë e saj. Në netët e luftës, kur frika dhe pasiguria ishin të pranishme pothuajse në çdo shtëpi, në kullën e Brahimajve shporeti i druve nuk fikej pothuajse kurrë. Aroma e bukës së pjekur përzihej me zërat e ulët të luftëtarëve që hynin e dilnin natën, ndërsa në mesin e asaj atmosfere qëndronte nëna Azë, e qetë në pamje, por me një qetësi që fshihte lodhjen dhe frikën. 17 maji shënon ditën e çlirimit të Jabllanicës (sot Shqiponjë), njërit prej fshatrave që gjatë luftës së fundit në Kosovë u shndërrua në qendër të rëndësishme të veprimtarisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga ky fshat dolën shumë pjesëtarë dhe drejtues të njohur të UÇK-së, por krahas tyre rol të rëndësishëm patën edhe gratë, kontributi i të cilave shpesh mbeti jashtë vëmendjes publike. Njëra prej tyre ishte Azë Brahimaj, gruaja që për shumë luftëtarë u bë simbol i guximit, sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut. Vitet kaluan, por kujtimi për të nuk mbeti vetëm në rrëfimet e luftës. Në vitin 2009, Komuna e Gjakovës vendosi që njëra nga mbi 200 rrugët e qytetit të mbajë emrin e saj. Rruga “Azë Brahimaj” është një rrugë e shkurtër, e rrethuar nga shtëpi banimi dhe larg zhurmës së qytetit. Azë Brahimaj u lind më në fshatin Grabanicë të Klinës dhe u martua në Jabllanicë të Gjakovës. Ajo ishte bashkëshortja e Shaban Brahimajt dhe nëna e gjashtë fëmijëve: Rukës, Hyres, Arifit, Selmanit, Nazmiut dhe Lahiut. Gjatë viteve të luftës, kulla e familjes Brahimaj u kthye në strehë për shumë pjesëtarë të njohur të UÇK-së, si Mujë Krasniqi, Abedin Rexha, Xheladin Gashi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e shumë të tjerë, fotografitë e të cilëve gjenden edhe sot në kullën e vjetër në ish-Jabllanicë. Djemtë e luftës shpesh thoshin se vetëm aroma e bukës së saj ua kthente për pak çaste ndjesinë e shtëpisë. Për t’ua lehtësuar sadopak lodhjen, ajo u thoshte shpesh: “Ju veç ruajeni veten, se na bukë, kripë e zemër kemi për krejt.” Ata që e njohën e kujtojnë si grua fisnike dhe mikpritëse. Në atë shtëpi, ngrohtësia që vinte nga zjarri ua ngrohte trupin, por zemra u qetësohej nga kujdesi dhe duart e arta të një nëne. Kështu rrëfen djali i saj, gjenerali Lahi Brahimaj, i cili tregon se nëna Azë ishte grua e zonja dhe dinte të përdorte armë të lehta, si revole, pushkë automatike, madje edhe bomba dore. Sipas tij, ajo mbante gjithmonë pranë vetes armën personale, të cilën e kishte marrë dhuratë. “Nuk më kujtohet saktë nëse ishte viti 1996 apo 1997, por nana kishte marrë një pistoletë dhuratë nga Kadri Veseli, të cilën e ka pasur pranë vetes deri në fund”, rrëfen ai. Megjithatë, zemra e saj prej nëne nuk e lejonte t’i rrezikonte djemtë që në atë kohë ishin pjesë e lëvizjes për çlirim. Për këtë arsye, shumë detyra i merrte vetë përsipër: bartte porosi, përcillte njerëz dhe transportonte armë. “Për shkak se gratë kontrolloheshin më pak, ajo bartte armë me autobus drejt Gllogjanit, te familja e Ramush Haradinajt, në Cerovik te shtëpia e Sokol Bashotës, si dhe dërgonte e merrte porosi te familja e Xheladin Gashit”, tregon ai. Njëri ndër personat që kishte qëndruar në kullën e Brahimajve ishte edhe Nait Hasani. Sa herë flet për nënën Azë, sytë i ka të mbushur me lot. “Kur e kujtoj, më duket sikur e kam ende afër. Në mendjen time ajo është e gjallë”, thotë ai. Për Hasanin, ajo nuk ishte vetëm nikoqire e shtëpisë, por figurë nëne. Ai kujton se në atë kullë kishte qëndruar për rreth tri vite dhe se dera kishte qenë gjithmonë e hapur për luftëtarët. “Na lante rrobat, na bënte bukën dhe na rregullonte vendin për të fjetur. Nuk pyeste kush ishim apo nga vinim, sepse në atë kohë unë prezantohesha me emrin Kujtimi”, kujton ai. Për të mos rënë në sy gjatë kontrolleve të shumta, nëna Azë shtirej sikur kishte dalë në qytet vetëm për ndonjë punë të zakonshme. Zbriste nga autobusi, sillej pak nëpër pazar dhe më pas kthehej sërish në shtëpi. Kështu përfundonin shpesh udhëtimet e saj nga Jabllanica në Gjakovë, rrugëtime që i bënte përkrah mysafirëve të saj të luftës. “Hipnim në autobus; unë ulesha në njërën karrige përpara, ndërsa ajo në një tjetër më prapa. Nuk flisnim fare që të mos ekspozoheshim. Kur mbërrinim në destinacion, vetëm merreshim vesh me sy”, rrëfen Hasani. Më , shamia e bardhë e katundit mori ngjyrën e gjakut. Azë Brahimaj u vra së bashku me nënën e saj, Zizen, pasi forcat serbe depërtuan në gjysmën e fshatit Jabllanicë. Trupat e tyre prehen sot në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Shqiponjë. Figura e nënës Azë është përjetësuar edhe në këngë kushtuar asaj. Qëndresa dhe sakrifica e saj pasqyrohen edhe në vargjet e këngëtarit Rifat Berisha: “Nderoi vendin, vepra e saj Dardania mend ta mbajë Si ka ba lokja qëndresë S’më dhimbet jeta, këtu do vdes…” Për kontributin e saj gjatë luftës, Azë Brahimaj u dekorua në vitin 2013 me “Urdhrin e Lirisë” nga presidentja Atifete Jahjaga, ndërsa në vitin 2020 me urdhrin “Hero i Kosovës” nga presidenti Hashim Thaçi. Azë Brahimaj nuk la pas vetëm një emër rruge apo dekorata. Ajo la pas historinë e një nëne që, mes punëve të shtëpisë dhe zhurmës së luftës, u bë strehë, forcë dhe shpresë për bijtë e lirisë. Dhe kjo histori nuk është vetëm historia e nënës Azë. Është edhe historia e shumë nënave të tjera që nuk morën pjesë drejtpërdrejt në beteja, por betejat i kishin në shpirtin e tyre, madje edhe në shtëpitë e tyre. Prandaj, më e pakta që mund të bëhet është kujtimi. Kujtimi i këtyre figurave dhe veprimtarisë së tyre është vlerë, trashëgimi dhe, mbi të gjitha, pasuri që duhet përcjellë brez pas brezi.
