Komuna e Prishtinës ka keqklasifikuar shpenzime në vlerë prej 7.76 milionë euro, duke i regjistruar ato në kategori buxhetore të gabuara. Kjo është një nga gjetjet kryesore të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në raportin e performancës për vitin 2025 të kësaj komune.
Sipas auditorit, nga testimi i mostrave janë identifikuar 52 pagesa në vlerë totale prej 7 milionë e 766 mijë e 370 euro, të cilat ishin klasifikuar në kategori ekonomike joadekuate. Pjesa më e madhe e keqklasifikimeve lidhet me pagesat e obligimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore dhe përmbarimore.
Auditori gjeti se 24 pagesa, në vlerë prej 3.33 milionë euro, ishin mbuluar nga kategori të tjera buxhetore për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme rezervë. Në mesin e tyre, 2.54 milionë euro për obligime nga Kontrata Kolektive, përfshirë pagat jubilare dhe shujtat, ishin paguar nga kategori që nuk ishin të destinuara për këtë qëllim.
Konkretisht, një pjesë e këtyre pagesave ishte realizuar nga investimet kapitale, një pjesë nga mallrat dhe shërbimet, ndërsa një tjetër nga subvencionet dhe transferet. Auditimi evidentoi gjithashtu raste të tjera kur fondet e dedikuara për investime kapitale u përdorën për pagesën e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa subvencionet u përdorën për shpenzime që nuk u takonin kësaj kategorie.
Përveç pagesave që lidhen me vendimet gjyqësore, ZKA identifikoi edhe 28 raste të tjera, në vlerë prej 4.43 milionë euro, ku pagesat nuk kishin lidhje me procese gjyqësore, por megjithatë ishin regjistruar në kategori ekonomike të gabuara.
Sipas raportit, shkaku kryesor i kësaj situate ishte mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për mbulimin e obligimeve nga vendimet gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe mungesa e kontrolleve efektive në klasifikimin e shpenzimeve sipas kategorive ekonomike.
“Si rezultat, shpenzimet në vlerë 7,766,370€ nuk janë prezantuar në kategoritë përkatëse ekonomike, duke ndikuar në paraqitjen jo të drejtë të ekzekutimit të buxhetit në Pasqyrat Vjetore Financiare”- thuhet ndër të tjera në raport.
Për këtë arsye, ZKA i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Prishtinës që gjatë përgatitjes së buxhetit të sigurojë zbatimin e kërkesave të Ligjit për Buxhetin dhe qarkores buxhetore, si dhe të forcojë mekanizmat e kontrollit për klasifikimin dhe regjistrimin e saktë të shpenzimeve. Komuna e Prishtinës, sipas raportit, është pajtuar këtë gjetje dhe rekomandim të auditorit.
Kjo komunë ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori. ZKA jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. Ky raport i ZKA-së për komunën ka rezultuar me 25 rekomandime. Prej tyre, 14 janë rekomandime të përsëritura, 3 pjesërisht të zbatuara, 8 janë rekomandime të reja, ndërsa dy rekomandime janë zgjidhur gjatë procesit të auditimit.
Në raportin e auditimit në vitin 2024, Komuna e Prishtinës kishte marrë 27 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU .
