Zjarri i madh që përfshiu provincën Almería në Spanjë dhe u mori jetën të paktën 12 personave është vënë nën kontroll, njoftuan autoritetet lokale të dielën. Përmirësimi i kushteve atmosferike, me erëra më të dobëta dhe lagështi më të lartë, ka ndihmuar ekipet e zjarrfikësve të kufizojnë përhapjen e flakëve dhe të sigurojnë pjesën më të madhe të perimetrit të zjarrit.
Kreu i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juan Manuel Moreno, bëri të ditur se niveli i alarmit është ulur dhe rreth 1.000 banorë të evakuuar janë lejuar të kthehen gradualisht në shtëpitë e tyre. Sipas autoriteteve, zjarri ka djegur rreth 7.000 hektarë tokë.
Një natë më parë, mbi 600 persona të evakuuar ishin lejuar tashmë të riktheheshin, ndërsa të tjerë vazhdojnë të strehohen në shtëpi pushimi ose hotele, me shpenzimet e mbuluara nga qeveria qendrore. Ndërkohë, Garda Civile spanjolle po inspekton banesat në zonat e prekura. Nga rreth 250 prona të kontrolluara deri tani, shumica kanë mbetur në këmbë dhe nuk kanë pësuar dëme të mëdha.
Autoritetet kanë konfirmuar deri më tani 12 viktima, por kanë bërë të ditur se numri i personave të zhdukur mbetet i paqartë derisa të përfundojnë autopsitë dhe identifikimi i trupave të gjetur. Sipas zyrtarëve, shumë prej viktimave dyshohet se janë shtetas të huaj. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
