Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka vlerësuar se bashkëpunimi ndërinstitucional, koordinimi dhe angazhimi i pandërprerë i të gjitha ekipeve në terren ishin vendimtarë në menaxhimin e zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu një banës dje në Prishtinë.
Sipas një njoftimi të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, në operacion morën pjesë Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës, ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Policia e Kryeqytetit, Shërbimi Emergjent Mjekësor, KRU “Prishtina”, si dhe institucione e zyrtarë të tjerë, të cilët vepruan me profesionalizëm, guxim dhe përkushtim për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Në njoftim është shprehur mirënjohje edhe për Kuzhinën Qendrore të Kryeqytetit, e cila gjatë gjithë intervenimit furnizoi ekipet emergjente me ujë, qumësht dhe ushqim, duke ofruar mbështetje të rëndësishme për personelin e angazhuar në terren.
Drejtoria u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve gjatë intervenimit, si qytetarëve ashtu edhe pjesëtarëve të ekipeve emergjente, me shpresën që sa më parë t’u rikthehen familjeve dhe detyrave të tyre në shërbim të qytetarëve.
Sipas Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, intervenimi dëshmoi se në situata emergjente nuk ka institucione të ndara, por një ekip të vetëm me një mision të përbashkët – mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve.
