Ymer Dragusha dënohet me dy vjet burgim në rastin “KEK 2”

0%

Shpërndaje në: Ish-shefi i prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Ymer Dragusha, është dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për katër vepra penale që lidhen me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në rastin “KEK 2”.

Gjykata të mërkurën e dënoi Dragushën me një vit burg për pikën e parë të akuzës, ndërsa për tri pikat e tjera e dënoi nga tetë muaj për secilën. Në fund, gjykata vendosi t’i shqiptojë dënim unik prej dy vjetëve burgim.

“Gjykata, duke u bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, të pandehurit i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit, transmeton KosovaPress.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Me aktgjykim, Dragusha është obliguar të paguajë edhe 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit. Dragusha bashkë me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe avokatin Isuf Zejna ishin akuzuar për korrupsion në KEK.

Derisa Dragusha e kishte pranuar fajësinë në shkurt të vitit 2025 dhe kishte arritur marrëveshje për bashkëpunim me Prokurorinë, Krasniqi e Zejna i kishin mohuar akuzat.

Ata akuzohen se gjatë viteve 2021-2023, me veprime të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës mbi 36 milionë euro duke kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”. Gjykimi ndaj Krasniqit dhe Zejnës është ende në proces.

Burimi: Koha