Legjenda e futbollit të Kosovës, Xhevdet Muriqi, ka uruar gazetën kombëtare “Bota sot” me rastin e 31-vjetorit të saj, duke vlerësuar kontributin e madh që ajo ka dhënë ndër vite në pasqyrimin dhe promovimin e sportit shqiptar. Muriqi, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit të Kosovës, ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit.
Ai kujtohet veçanërisht për paraqitjet e shkëlqyera së bashku me vëllain e tij, Fadil Muriqi, gjatë viteve të arta të klubit në vitet e 80-ta. Një nga momentet më të paharruara të karrierës së tij mbetet ndeshja e vjeshtës së vitit 1984 ndaj Dinamos së Zagrebit, kur shënoi dy gola në fitoren 2:0 të Prishtinës.
Me rastin e 31 vjetorit të gazetës, Muriqi theksoi se “Bota sot” ka qenë një mbështetëse e rëndësishme e sportit dhe sportistëve shqiptarë. “Në këto 31 vite, Gazeta ‘Bota sot’ ka qenë një mbështetëse e rëndësishme e sportit, duke pasqyruar me profesionalizëm arritjet e sportistëve dhe zhvillimin e sportit shqiptar.
Urime për këtë përvjetor dhe suksese të mëtejshme!”, ka uruar Xhevdet Muriqi.
