Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë dhe ish-gazetarja Venera Azizi, është e ftuara e radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilën kemi diskutuar për 2 vjetorin e VLEN-it në Qeveri, punët që i kanë bërë, si dhe rikonstruimin e qeverisë që është paralajmëruar së fundmi.
Në lidhje me çështjen e cila është aktualizuar ditët e fundit për emrat e rrugëve në Tetovë, Azizi tha se qytetarët duhet ta dijnë se emrat nuk i ka hequr Bilall Kasami, për të cilin tha se është duke punuar për ta zgjidhur këtë çështje. “Popullata duhet ta dijë që emrat nuk i ka hequr Bilall Kasami. Emrat janë sjellë në këshillin komunal në vitin 2007 dhe prej atëherë kanë kaluar 20 vite.
BDI ka pasur qeveri të tëra dhe nuk mund ta perceptoj se si nuk kanë mundur ta zgjidhin këtë çështje. Vendimi është sjellë nga ana e komunës dhe është dashur të që ketë vendim edhe nga Qeveria dhe tani protestojnë, pikërisht si ata fëmijët kur bëjnë faj. Ata i dijnë problemet ku i kanë lënë dhe thuajse zgjidhjet janë gjysmake dhe tani protestojnë kundër vetvetes”, tha Azizi.
Sa i përket perceptimit se VLEN është e shtypur nga OBRM-PDUKM, ajo tha se nuk është e vërtetë dhe përmendi punët që kanë bërë. “Ndoshta na shohin se na shtyp OBRM-PDUKM-ja, por kjo nuk është e vërtetë.
Si jemi të dobët kur ne po e përmbyllim rrugën Shkup – Bllacë, kur i kemi përshpejtuar punimet në Korridorin 8, po e ndërtojmë kampusin më modern të Universitetit Nënë Tereza, kemi ndarë 20 milionë euro për sheshin Skënderbeu, po e zgjidhin çështjen e Jurisprudencës, kemi rritur rrogat në polici, shëndetësi, kemi rritur pensionet.
Për 24 muaj kemi bërë atë që ata nuk e kanë bërë për 24 vjet”, theksoi Azizi. Në lidhje me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Azizi theksoi se pas 24 viteve po sillet ligji që do ta zgjidh çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. “Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është i qeverisë dhe VLEN ka bërë shumë për këtë. Ne nuk punojmë si individë, punojmë si grup.
Ligji ndodhet në Kuvend dhe në debat, nëse do të ketë amendamente. Për herë të parë pas 24 viteve po sillet ligj i cili do ta rregullojë çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Ligji ka sanksione, dënimi më i madh që mund të ndodh është dënimi politik. Ka trupin mbikëqyrës dhe kryesori i këtij trupi është zv.kryeministri i parë.
Ky organ do ta ketë kontrollin e plotë dhe do ta shohë se cili institucion nuk e respekton këtë ligj”, theksoi Azizi. E pyetëm edhe për çështjen e rikonstruimit të Qeverisë, ajo tha se bisedimet janë në rrjedhë dhe kryetarët e VLEN-it do të dalin para opinionit për të treguar se çfarë ministri do të marrin. “Është jokorrekte të flasim pasi bisedimet janë në rrjedhë.
Kryetarët do të dalin vetë të komunikojnë emrat dhe ministritë. Dhe do ta kisha lënë që ta dëgjojmë nga kryetarët”, theksoi Azizi. Zëdhënësja e Qeverisë Venera Azizi ishte pjesë e misionit të 100 të PodGo dhe e njëjta kishte dhuratë për ne, duke na dëshiruar edhe shumë emisione tjera.
