Në fshatin Cërnicë të Komunës së Gjilanit është realizuar projekti për vendosjen e kamerave të sigurisë, me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë publike, parandalimit të veprave penale dhe mbrojtjes së pronës së qytetarëve.
Projekti është realizuar nga Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) në Cërnicë, në bashkëpunim me Koordinatorin e Projekteve për Komunitet dhe Parandalim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan, si dhe Njësinë e Policisë në Komunitet dhe Sektor të Stacionit Policor në Gjilan.
Sipas njoftimit të Policisë, projekti është financuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ndërsa Komuna e Gjilanit ka mbështetur realizimin e tij duke siguruar furnizimin me energji elektrike për funksionimin e sistemit të kamerave.
“Qëllimi i projektit është rritja e nivelit të sigurisë publike, parandalimi i veprave penale, mbrojtja e pronës dhe krijimi i një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim. Vendosja e kamerave është mirëpritur nga banorët e Cërnicës, të cilët e kanë vlerësuar këtë projekt si një investim të rëndësishëm për sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit.
Policia e Kosovës dhe Komiteti Lokal për Siguri Publike në Cërnicë kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin për realizimin e projekteve të tjera që synojnë përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.
Institucionet përgjegjëse kanë theksuar përkushtimin për identifikimin dhe adresimin e nevojave të komunitetit, me synim krijimin e një ambienti më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë banorët.
