Transferimi më i fundit i Fenerbahces Vedat Muriqi ka pësuar një lëndim që duket serioz në stërvitje. Sipas raportimeve nga Turqia, Muriqi u detyrua të largohej nga fusha me barelë pasi pësoi një shqetësim fizik gjatë stërvitjes, duke ngritur menjëherë shqetësime te stafi teknik i klubit verdheblu.
Gjendja e sulmuesit pritet të qartësohet pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore, ndërsa shkalla e lëndimit do të përcaktohet pas kryerjes së rezonancës magnetike. Ekipi mjekësor i Fenerbahces më pas do të vendosë për trajtimin që do të ndjekë lojtari, si dhe për afatin e rikthimit të tij në fushë. Vedat Muriqi nuk ishte futbollisti i vetëm që pësoi lëndim te skuadra turke.
Edhe Anderson Talisca pësoi një dëmtim gjatë stërvitjes së së dielës dhe aktualisht po merr trajtim nga stafi mjekësor. Seria e lëndimeve para nisjes së sezonit të ri konsiderohet si një zhvillim që mund të ndikojë ndjeshëm në planet dhe programin përgatitor të stafit teknik të Fenerbahces./ Telegrafi
