Ushtarët e caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-East), pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë marrë pjesë në një trajnim përgatitor për zhytje, i organizuar nga Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës (KSRA) në Prishtinë.
Sipas KFOR-it, trajnimi është pjesë e përgatitjeve për rritjen e aftësive të specializuara dhe gatishmërisë operacionale para një certifikimi të ardhshëm për zhytje. Gjatë aktivitetit, ushtarët e KFOR-it u trajnuan së bashku me profesionistë vendorë të kërkim-shpëtimit, duke forcuar bashkëpunimin, ndërveprueshmërinë dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
KFOR theksoi se përmes koordinimit të ngushtë me institucionet vendore, vazhdon të dëshmojë përkushtimin për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë të paanshme dhe transparente.
Misioni i KFOR-it vazhdon zbatimin e mandatit të tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë.
Në këtë drejtim, KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me përgjegjësitë e tyre si reagues të sigurisë.
