Me kalimin e çdo dite, mungesa e udhëheqësit suprem vetëm sa ushqen më tej dyshimet për shëndetin, kontrollin dhe madje edhe ekzistencën e tij.
Nga: Kasra Aarabi / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Sistemi mafioz pa një kumbarë nuk shembet menjëherë: ai copëtohet nga grindja e brendshme teksa klanet rivale oligarkike, të mbajtura dikur nën kontroll nga një njeri i vetëm i fortë, kthehen kundër njëri-tjetrit në luftën për pushtet dhe burime. Ky është Irani sot, në rrjedhën e luftës.
Pjesa më e madhe e mediave në Perëndim dëshiron t’ju bëjë të besoni se Republika Islamike ka dalë “më e fortë” nga Lufta e Iranit – por, ky përfundim nuk është i saktë.
Natyrisht, vetë regjimi u përpoq t’i paraqiste turmat që morën pjesë në ceremoninë njëjavore të varrimit të stilit sovjetik për ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei – i eliminuar ditën e parë të luftës – si një shfaqje të unitetit, forcës dhe kontrollit të elitës.
Por, nën sipërfaqe kanë filluar të shfaqen përçarjet e mëdha dhe përplasjet e ashpra të brendshme, të nxitura nga vakumi i pushtetit i lënë pas nga vdekja e Ajatollahut. Në fakt, procesioni mortor u bë më pak një shfaqje e forcës së regjimit dhe më shumë një kujtesë e pasigurisë së tij: udhëheqësi i ri suprem, Mojtaba – djali i Ali Khameneit – nuk dukej askund.
Mungesa e tij hodhi hije mbi gjithë këtë çështje. Pasi mori drejtimin, Mojtaba – për të cilin regjimi pretendon se i mbijetoi sulmit shkatërrues ndaj kompleksit të të atit, sulm që vrau gjithashtu bashkëshorten dhe djalin e tij – është zhdukur nga sytë e publikut. Asnjë video. Asnjë audio. Asnjë paraqitje e udhëheqësit të ri suprem. Me fjalë të tjera: asnjë provë se ai është gjallë.
Deri në varrimin e të atit, emri i Mojtabës kishte shërbyer si një lloj ngjitësi politik për të penguar klanet oligarkike të regjimit të përçanin njëri-tjetrin në luftën për pushtet dhe burime – jo për ideologji, për të cilën të gjithë janë në një linjë.
Fraksionet e ndryshme i referoheshin autoritetit të tij si një mjet për t’i mbajtur nën kontroll klanet rivale, për t’u dhënë legjitimitet veprimeve të tyre dhe për të parandaluar që lufta e brendshme për pushtet – brenda regjimit – të dilte hapur në sipërfaqe. Por, gjithë kjo bëhej mbi supozimin se udhëheqësi i ri suprem ishte gjallë, i aftë dhe ende në kontroll.
Ky supozim tani po ndryshon në heshtje mes elitës së regjimit. Edhe pse askush nuk është i gatshëm ta thotë me zë të lartë, mundësia që udhëheqësi i ri suprem është ose rëndë i paaftësuar ose i vdekur, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u shpërfillur.
Realiteti është se vetëm pak individë do të jenë në dijeni të statusit tepër sekret të Mojtabës – ndër ta, mbi të gjitha, kreu i ri i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Ahmad Vahidi, ndoshta figura më e fuqishme e regjimit sot.
Një udhëheqës suprem fantazmë – qoftë i vdekur ose i paaftë për të ushtruar detyrën – pa dyshim do t’u shërbente interesave të Vahidit dhe IRGC-së në tërësi, duke u mundësuar atyre të justifikonin dhe legjitimonin konsolidimin e autoritetit dhe burimeve në emër të Mojtabës, pa hasur në kundërshtim.
Koncepti i “Mojtabës në fshehje” mund të shndërrohet në një mekanizëm për ruajtjen e shtetit fundamentalist shiit dhe për zbutjen e një krize të trashëgimisë së pushtetit. Është mbresëlënës paralelizmi me doktrinën e Imamit të Fshehur në islamin shiit dymbëdhjetë-imamësh.
Pasi pasardhësi i Profetit Muhamed dhe Imami i Dymbëdhjetë Shiit, Mohammad al-Mahdi, thuhet se u zhduk kur ishte fëmijë, kleri shiit zhvilloi doktrinën e fshehjes: besimin se Zoti e kishte fshehur Mahdiun në vitin 874 dhe se ai do të kthehej një ditë.
Deri në atë çast, ata argumentonin se besimtarët ishin të detyruar t’i qëndronin besnikë Imamit të Fshehur, ndërsa autoritetet fetare merrnin përsipër rolin e interpretimit dhe zbatimit të vullnetit të tij.
Meqenëse Mahdiu ishte Imami i fundit në vijën e gjakut shiit, doktrina e fshehjes e zgjidhi krizën e trashëgimisë duke ruajtur si autoritetin e tij, ashtu edhe vazhdimësinë e besimit shiit dymbëdhjetë-imamësh.
Ata madje emëruan përfaqësues të posaçëm të njëpasnjëshëm, të cilët pretendonin se komunikonin në emër të Imamit të Fshehur – një rol që duket se IRGC-ja e ka përvetësuar sot për “Mojtabën e fshehur”. Por, kjo strategji mashtrimi rreth Mojtabës do të funksionojë vetëm për aq kohë sa besimtarët – dhe jo më pak klanet rivale oligarkike – vazhdojnë të besojnë në të.
Dhe, ndërsa ky besim fillon të shembet, Republika Islamike po zhytet në një krizë të madhe të elitës dhe të trashëgimisë së pushtetit, e cila kërcënon mbijetesën e vetë sistemit. Kjo ndodh sepse, në një sistem ku pushteti, paratë dhe interesat e fraksioneve rivale varen nga autoriteti i udhëheqësit suprem – pasiguria mbi autoritetin e Mojtabës kërcënon vetë mbijetesën e tyre.
Tani beteja ka nisur, pasi klanet e ndryshme nuk mund të rrinë duarkryq dhe ta lidhin të ardhmen e tyre me një udhëheqës suprem fantazmë. Me rifillimin e Luftës së Iranit pas sulmeve të reja të IRGC-së – të cilat mund të jenë ndikuar nga përplasjet brenda elitës – koha për këtë betejë të brendshme për pushtet dhe për para nuk mund të ishte më e papërshtatshme.
Pavarësisht pretendimeve të mediave perëndimore, raundi i mëparshëm i konfliktit i dëmtoi rëndë aftësitë ushtarake të regjimit. Më shumë se 12 300 objektiva të lidhura me ushtrinë janë goditur nga Shtetet e Bashkuara, mbrojtja ajrore është pothuajse jashtë funksionit dhe kapacitetet e raketave balistike janë dobësuar rëndë. Lufta e Iranit ka shkatërruar gjithashtu ekonominë iraniane.
Mediat shtetërore raportojnë se inflacioni ka tejkaluar 100 përqindëshin në të paktën 11 provinca iraniane, ndërsa çmimet e disa mallrave bazë janë rritur me të paktën 200 për qind dhe më shumë se një milion njerëz kanë mbetur të papunë vetëm gjatë 40 ditëve të para të konfliktit.
Ndërkohë, pakënaqësia kundër regjimit në mesin e popullsisë iraniane jo vetëm që nuk është zbehur që nga protestat e janarit – gjatë të cilave Republika Islamike masakroi të paktën 40 mijë civilë. Republika Islamike e di shumë mirë se vala e ardhshme e trazirave kundër regjimit nuk është çështje nëse do të ndodhë, por vetëm kur.
Ndërsa sulmet amerikane po godasin sërish Republikën Islamike, realiteti është se regjimi ndoshta është më i dobët se në çdo moment tjetër që nga viti 1979. Megjithatë, një paralajmërim për këtë.
Nëse IRGC-ja arrin ta përballojë këtë periudhë të vështirë gjatë dy vjetëve e gjysmë të ardhshëm dhe t’i mbijetojë presidencës së Donald Trumpit, ajo mund të ndërmarrë një spastrim të gjerë të fraksioneve rivale brenda regjimit, duke çrrënjosur klanet oligarkike konkurruese dhe duke konsoliduar një rend të ri islamist të dominuar nga IRGC-ja.
Natyrisht, ky spastrim do të kryhej në emër të “pastrimit ideologjik” dhe çrrënjosjes së korrupsionit – një strategji të cilën Garda e ka zbatuar edhe më parë. Nëse një skenar i tillë do të realizohej – dhe kjo është një “nëse” e madhe – regjimi teorikisht do të mund të dilte më i centralizuar, më koheziv dhe madje më i fortë.
Megjithatë, për momentin Republikën Islamike nuk e pret asgjë tjetër veçse një stuhi – një regjim që tani përballet me një luftë në dy fronte: nga jashtë dhe nga brenda. Me kalimin e çdo dite, mungesa e Mojtabës vetëm sa ushqen më tej dyshimet mbi shëndetin, kontrollin dhe madje ekzistencën e tij.
Në mungesë të tij, edhe sistemi më i fortë mafioz nuk mund t’i pengojë fraksionet e veta të kthehen kundër njëra-tjetrës në luftën për pushtet, para dhe mbijetesë. Mos gaboni: ky nuk është një regjim që po del më i fortë nga lufta; është një rend politik që po përballet me krizën më ekzistenciale që ka hasur – në dekada.
