Sonte u rihap Galeria Kombëtare e Kosovës. Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Galeria Kombëtare e Kosovës u themelua më 1979, në një kohë kur ngritja e institucioneve kulturore ishte pjesë e përpjekjes së Kosovës për arsimim dhe afirmim.
Ajo më tej tha se gjatë viteve që pasuan, artistët e asaj kohe i dhanë artit të Kosovës një fizionomi të vetën, të mbruajtur nga përvoja e vendit tonë dhe nga trysnia politike brenda të cilës duhej të krijonin. “Gjatë viteve të 90-ta, pushteti serb i largoi artistët shqiptarë nga institucionet ku kishin punuar dhe ekspozuar deri atëherë.
Jeta artistike u zhvendos në hapësirat të pazakonshme për zhvillimin e jetës artistike dhe intelektuale, kryesisht në kafene. Një prej tyre ishte edhe Hani i Dy Robertëve, ku organizoheshin ekspozita, promovime librash dhe diskutime”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, këto vite tregojnë sa këmbëngulëse ishte jeta artistike edhe nën masa represioni, duke shtuar tutje se ajo dëshmon se, edhe kur regjimi serb i mbylli dyert e institucioneve, artistët vazhduan të krijonin dhe t’ia paraqisnin punën e tyre publikut. “Gjatë luftës u dogjën shumë atelie dhe u shkatërrua një numër i madh veprash artistike.
Me to humbën edhe skica, dorëshkrime, dëshmi dhe pjesë të historisë së artit tonë pamor, të cilat nuk mund të rikthehen. Humbje të tilla e bëjnë edhe më të qartë pse ruajtja e koleksionit është kaq e rëndësishme.
Prandaj, zgjerimi i Galerisë me katërqind metrat katrorë të rinj, krijon për herë të parë hapësirën e nevojshme për ruajtjen dhe konservimin e koleksionit, si dhe për studimin e tij të mirëfilltë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se këtu ruhen veprat artistike për qytetarët e sotëm dhe për brezat e ardhshëm.
“Arkivimi i veprave u jep qytetarëve mundësinë ta njohin të kaluarën pa qenë të detyruar ta shpikin nga e para, ndërkaq konservimi e ruan veprën edhe përtej kohës. Hana Halilaj ka mbledhur vepra që vijnë nga periudha të ndryshme. Një pjesë janë krijuar në vitet e 70-ta, të tjerat në periudhat pasuese.
Mes veprave të para dhe atyre të sotme, Kosova ka kaluar diskriminimin, luftën, spastrimin etnik dhe ndryshimin e rendit politik” , u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se titulli i ekspozitës që po hapim sot “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë” lidhet drejtpërdrejt me përvojën tonë, një brez po ndërton jetën e vet në liri, derisa një tjetër ende pret përgjigje për mungesat që ka lënë lufta.
“Rihapja e Galerisë Kombëtare na mbledh pikërisht për t’i parë këto shtresime, për ta vështruar vendin tonë përmes periudhave, kujtimeve dhe syve të ndryshëm që e kanë përshkuar” , ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, arti e ndihmon një shoqëri ta shohë veten më qartë, andaj shtoi ajo, Republika jonë po ofron kushte që ta mbrojnë lirinë e artit.
Ajo tha se mënyra se si shteti apo institucionet e trajtojnë artistin tregon sa i gatshëm është ta durojë të vërtetën. “Dua ta kujtoj sonte me shumë respekt dhe përulje, Shyqri Nimanin, drejtorin e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Duke folur për themelimin e teatrit, Kosovafilmit dhe Galerisë, ai thoshte se Kosova po fillon ta marr trajtën e një shteti.
Sot, pas gati pesë dekadash, ajo fjali tingëllon ende e saktë. Galeria pra ishte pjesë e asaj trajte dhe mbetet pjesë e saj edhe sot” , ka theksuar Haxhiu. Në fund U.D.
Presidentja Haxhiu ka uruar që Galeria të mos mbetet vetëm hapësirë ekspozimi por të bëhet vend ku fëmijët takojnë artin për herë të parë, ku studentët studiojnë, ku artistët e rinj provojnë ta gjejnë zërin e tyre dhe ku publiku ka arsye të qëndrojë pak më gjatë.
