Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të mërkurën () se armëpushimi ndërmjet SHBAsë dhe Iranit “ka marrë fund”, pasi të dy vendet shkëmbyen sulme, raporton BBC . “Nuk dua të merrem më me ta, janë llum”, ka thënë presidenti amerikan në samitin e NATO-s në Turqi. “Ata janë njerëz të sëmurë, udhëhiqen nga njerëz të sëmurë… Për sa më përket mua, ka mbaruar”.
Trump ka shtuar se negociatorët nga të dyja palët mund të vazhdojnë të flasin, por “mendoj se po humbin kohën e tyre” kot. SHBA-ja ka njoftuar të martën mbrëma vonë se kishin qëlluar më shumë se 80 objektiva iraniane pas sulmeve ndaj tre tankerëve të naftës në Ngushticën e Hormuzit. Irani nuk e ka marrë përgjegjësinë drejtpërdrejt.
Në kundërpërgjigje, Irani ka thënë se po shënjestron bazat ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt. Ndërkohë shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se sulmet amerikane ishin “absolutisht të nevojshme”, duke akuzuar Iranin për “shkelje në thelb të armëpushimit”. Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se SHBA-ja ka shkelur armëpushimin.
Muajin e kaluar, Teherani dhe Uashingtoni nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit prej 14 faqesh, që synonte zgjatjen e armëpushimit dhe përfundimin e konfliktit “në të gjitha frontet”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
