Grupi BALFIN është certifikuar si “Top Employer 2026” nga Top Employers Institute , autoriteti global në njohjen e ekselencës në praktikat e menaxhimit dhe zhvillimit të burimeve njerëzore.
Certifikimi u jepet vetëm organizatave që i nënshtrohen dhe kalojnë me sukses një procesi rigoroz auditimi të pavarur, i cili vlerëson në thellësi praktikat në fusha si strategjia e burimeve njerëzore, zhvillimi i talenteve, mirëqenia, diversiteti dhe përfshirja.
Rëndësia e këtij vlerësimi qëndron pikërisht te natyra e tij si një standard ndërkombëtar dhe i pavarur, që tregon se ku qëndron realisht një kompani në raport me burimet njerëzore. Ky certifikim është një verifikim objektiv kundrejt kritereve më të larta globale për trajtimin dhe zhvillimin e punonjësve.
Certifikimi “Top Employer 2026” dëshmon aftësinë e Grupit BALFIN për të krijuar një mjedis pune me performancë të lartë përmes strategjive të bazuara në mbështetjen e punonjësve. Ky vlerësim konfirmon se standardet e menaxhimit të burimeve njerëzore në Grupin BALFIN janë të krahasueshme me ato të organizatave më të mira ndërkombëtare.
Sipas Drejtorit të Burimeve Njerëzore të Grupit BALFIN, Elvin Nosi, certifikimi nuk erdhi si rezultat i një nisme të re, por si formalizim i një pune dhe kulture të ndërtuar ndër vite. “Tërheqja, zhvillimi dhe mbajtja e talenteve është një nga sfidat më të mëdha për çdo organizatë sot. Në BALFIN, kjo ka qenë prioritet prej shumë vitesh,” thotë Nosi.
“Mundësia për të lëvizur ndërmjet industrive dhe vendeve ku operojmë është një nga pikat tona më të forta. Certifikimi Top Employer është për ne, mbi të gjitha, një konfirmim se investimi te njerëzit dhe krijimi i mundësive për rritje mbetet rruga e duhur për të ardhmen.”
Duke operuar në 12 shtete të ndryshme dhe në sektorë të ndryshëm si tregti me pakicë, industri bankare, zhvillim i pasurive të paluajtshme, hoteleri, logjistikë, etj. BALFIN u ofron punonjësve diçka që pak organizata biznesi mund ta bëjnë: mundësinë për të ndërtuar karriera ndër-industriale dhe ndër-shtetërore brenda të njëjtit grup.
Adrian Seligman, CEO i Top Employers Institute, komentoi: “Arritja e certifikimit Top Employer për vitin 2026, pasqyron përkushtimin e Grupit BALFIN për të ndërtuar një mjedis pune të shkëlqyer, që mundëson performancë të qëndrueshme biznesi.
Përafrimi i fortë mes strategjisë së burimeve njerëzore dhe objektivave organizative, i kombinuar me angazhimin për përmirësim të vazhdueshëm, dëshmon ndikimin e praktikave transformuese të grupit. Jemi krenarë ta njohim BALFIN Group për kontributin e tij domethënës drejt një bote pune më të mirë.”
Themeluar në Vjenë në vitin 1993 nga Samir Mane, Grupi BALFIN është i pranishëm në 12 vende dhe dy kontinente, duke operuar në sektorin bankar, atë të pasurive të paluajtshme, tregtisë me pakicë, hotelerisë, menaxhimit të aseteve e të tjerë. Çdo sektor ndërvepron dhe forcon të tjerët, duke e kthyer diversifikimin në rritje dhe jo thjesht në shkallëzim.
Me një EBITDA të konsoliduar prej 163 milionë eurosh dhe një fuqi punëtore prej rreth 5,500 profesionistësh, BALFIN Group bën bashkë stabilitetin financiar me një angazhim afatgjatë ndaj inovacionit, etikës dhe ndikimit social, të organizuar nëpërmjet Fondacionit Mane që nga viti 2023.
