Tolaj sqaron situatën: Jam lojtar i Gjilanit

0%

Bleart Tolaj ka reaguar publikisht për herë të parë pas konfuzionit të krijuar tri ditë më parë rreth së ardhmes së tij, kur fillimisht Gjilani njoftoi zyrtarisht transferimin e sulmuesit, ndërsa vetëm pak minuta më vonë Ballkani publikoi se kishte vazhduar kontratën me futbollistin.

Përmes një deklarate, Tolaj ka sqaruar se zyrtarisht është lojtar i Gjilanit, duke theksuar se është i lumtur për këtë hap në karrierën e tij dhe i përkushtuar për të dhënë maksimumin me fanellën e klubit. Ai njëkohësisht pranoi përgjegjësinë për paqartësitë e krijuara. “Ndjej obligim ta pranoj se përgjegjësia për konfuzionin e krijuar bie mbi mua.

Më vjen keq që situata u zhvillua në këtë mënyrë dhe që krijoi paqartësi në opinion. Nuk kam pasur asnjëherë qëllim të krijoj polemika apo të vendos ndonjë klub në një pozitë të vështirë”, ka shkruar Tolaj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sulmuesi bëri të ditur se Ballkani, duke pasur parasysh situatën e krijuar dhe interesin për vazhdimësinë e karrierës së tij, ka treguar mirëkuptim duke e liruar, për çka shprehu mirënjohje ndaj klubit, drejtuesve, stafit, bashkëlojtarëve dhe tifozëve.

Ai konfirmoi se, me dakordimin e të gjitha palëve, do ta ndihmojë Ballkanin në dy ndeshjet e ardhshme të Conference League, ndërsa pas përfundimit të këtij angazhimi do t’i bashkohet plotësisht Gjilanit.

“Nga ai moment do të jem i fokusuar maksimalisht për të dhënë më të mirën dhe për të justifikuar besimin që më është dhënë”, theksoi Tolaj, duke falënderuar të dy klubet për korrektësinë dhe respektin e treguar dhe duke shprehur shpresën që me këtë sqarim të mbyllet çdo keqkuptim.

Burimi: Bota Sot