Shpërndaje në: Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të tregojë vizion shtetëror për ndërtimin e një koalicioni funksional dhe sigurimin e zgjedhjes së presidentit.
Terrasi e dha porosinë përmes një postimi në rrjetet sociale të martën pasdite, ku bëri të ditur takimet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini. “U takova me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini.
E inkurajoj kryeministrin Albin Kurti të tregojë vizion shtetëror për të ndërtuar një koalicion funksional dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit. Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme për të ecur përpara në rrugën e saj”, ka shkruar Terras.
Terrasi gjatë ditës së sotme qëndroi në Kosovë, ku zhvilloi takimet me ushtruesen e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, ministrin e Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca e kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza. Nuk takoi Kurtin pasi kryeministri në detyrë është në një udhëtim në Greqi.
Gjatë ditës së nesërme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit. Kjo do t’i hapte rrugë konstituimit të institucioneve. Nga zgjedhjet e 7 qershor, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.
