Takimi vjetor Kosova-Komisioni Evropian, në fokus zbatimi i mbështetjes financiare dhe teknike të BE-së

0%

Kosova dhe Komisioni Evropian mbajtën takimin vjetor të komitetit monitorues të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit. Takimi mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Komisionit Evropian u fokusua në zbatimin e mbështetjes financiare dhe teknike të BE-së për Kosovën në kuadër të IPA-s, si dhe në avancimin e reformave që mbështesin rrugën e integrimit të Kosovës në BE.

E ofruar prej vitit 2007 dhe e përforcuar më tej në vitin 2024 nga Plani i BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, asistenca e IPA-s është një nga instrumentet kryesore të Bashkimit Evropian për mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.

Florim Canolli, Koordinatori Kombëtar për IPA-n, dhe Jiri Plecity, Shefi i Njësisë për Serbinë dhe Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësinë Lindore, bashkëkryesuan sot në Prishtinë takimin vjetor të komitetit monitorues të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA). “Diskutimet trajtuan sfidat horizontale dhe progresi i përgjithshëm në implementimin e përkrahjes nga BE-ja në mbarë sektorët, duke adresuar si kriteret politike ashtu edhe ato ekonomike për integrimin në BE.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fokus të posaçëm në çështjet themelore, duke përfshirë sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, reformat strukturore, zhvillimin e sektorit privat, kapitalin njerëzor dhe shoqërinë gjithëpërfshirëse.

Në takim u shqyrtuan edhe investimet e BE-së në Kosovë, të kanalizuara përmes programeve të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) dhe të Bashkëpunimit Ndërkufitar (CBC). Të dyja palët nënvizuan rëndësinë e zbatimit, monitorimit dhe përcjelljes efektive të asistencës së BE-së.

Komisioni Evropian mirëpriti përkushtimin e Qeverisë për forcimin e kapacitetit absorbues të Kosovës dhe përmirësimin e koordinimit të përgjithshëm të donatorëve.

Duke vlerësuar progresin e arritur në zbatimin e asistencës së IPA-s, Komisioni Evropian theksoi rëndësinë e zbatimit në kohë të të gjitha projekteve të dakorduara për të siguruar që mbështetja e BE-së të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset.

Gjithashtu, u theksua se disa projekte sfiduese kërkojnë veprime të menjëhershme nga autoritetet relevante për të siguruar zbatimin e tyre të suksesshëm dhe për t’i avancuar reformat esenciale për rrugën evropiane të Kosovës.

Kosova riafirmoi zotimin për monitorim nga afër të zbatimit të projekteve të dakorduara dhe për vazhdimin e punës drejt realizimit efektiv të reformave të mbështetura nga Bashkimi Evropian. Kosova dhe Komisioni Evropian u dakorduan të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit për maksimizimin e ndikimit të asistencës së IPA-s dhe për mbështetjen e zbatimit më efiçient të mundshëm të reformave.

Me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja është partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe Komisionit Evropian.

Burimi: Telegrafi