Takimi që riktheu shpresën për marrëveshje: Çfarë fshihet pas afrimit

0%

Takimi i javës së kaluar ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka rikthyer në qendër të vëmendjes mundësinë e një bashkëpunimi politik mes dy subjekteve më të mëdha parlamentare.

Edhe pse pa një marrëveshje konkrete, gatishmëria e shprehur për vazhdimin e dialogut është parë si një sinjal se negociatat për formimin e institucioneve ende mbeten të hapura. Në lidhje me këtë takim dhe sinjalin që përcolli ai, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli publicisti Agim Vuniqi.

Sipas tij, ndonëse takimi nuk solli rezultat, ai riktheu dialogun mes partive, gjë që i kishte munguar skenës politike në Kosovë. Agim Vuniqi Ai potencoi se partitë duhet ta shikojnë në mënyrë të drejtë rezultatin zgjedhor, pasi ky i fundit është fillimi i çdo negociate politike. “Në politikë ka momente kur rëndësi nuk ka vetëm rezultati i një takimi, por vetë fakti që ai zhvillohet.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Takimi ndërmjet Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut është pikërisht një moment i tillë. Ai nuk solli një marrëveshje, por riktheu diçka që i kishte munguar politikës kosovare: dialogun ndërmjet dy forcave kryesore shqiptare në një kohë bllokade institucionale. Në demokracitë parlamentare, zgjedhjet nuk janë fundi i procesit politik; ato janë fillimi i tij.

Qytetarët përcaktojnë renditjen e forcave politike, ndërsa përgjegjësia e partive është ta shndërrojnë atë rezultat në institucione funksionale. Pikërisht këtu fillon përgjegjësia shtetërore. Prandaj, rezultati zgjedhor nuk duhet të jetë as objekt kontestimi, as instrument imponimi. Ai është pika e nisjes së çdo negociate politike.

Partia që fiton zgjedhjet fiton të drejtën për të udhëhequr procesin e krijimit të institucioneve, por jo të drejtën për të qeverisur pa dialog kur nuk e ka shumicën parlamentare. Po kështu, partitë që nuk kanë dalë të parat nuk mund ta injorojnë legjitimitetin që buron nga vota e qytetarëve. Ky është ekuilibri mbi të cilin funksionojnë demokracitë parlamentare” , deklaroi ai.

Për këtë, Vuniqi afrimin mes LVV-së dhe LDK-së e sheh si mundësi për zhbllokimin e krizës dhe funksionimin afatgjatë të institucioneve. Në këtë pikë, ai kërkoi nga partitë bashkëpunim dhe marrëveshje të qëndrueshme mbi parime të përbashkëta.

“Për këtë arsye, afrimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet parë si një mundësi për ta rikthyer politikën në funksionin e saj themelor: ndërtimin e institucioneve. Ai nuk duhet të kuptohet si fitore e njërës palë apo humbje e tjetrës, por si një përpjekje për të vendosur interesin e Republikës mbi interesin partiak.

Një marrëveshje e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi logjikën që njëra palë vendos kushtet dhe tjetra vetëm i pranon. Po aq e paqëndrueshme do të ishte edhe një qasje që e relativizon rezultatin zgjedhor.

Qëndrueshmëria lind vetëm kur të dyja palët pranojnë një parim të përbashkët: legjitimiteti buron nga vota e qytetarëve, ndërsa stabiliteti nga përgjegjësia e përbashkët për ta bërë shtetin funksional”.

Më tej, publicisti tha se Kosova po përballet tash e sa kohë me kriza institucionale, të cilat po e dëmtojnë shtetin dhe besimin e qytetarëve, andaj kërkoi nga partitë maturi dhe aftësi për bashkëpunim me njëra-tjetrën.

“Historia politike e Kosovës ka treguar se krizat institucionale nuk i kanë dëmtuar vetëm partitë; ato kanë dëmtuar besimin e qytetarëve te shteti, kanë vonuar reformat, kanë penguar investimet dhe kanë dobësuar pozitën ndërkombëtare të vendit. Për këtë arsye, çdo ditë pa institucione funksionale ka një kosto që e paguan shoqëria, jo vetëm klasa politike.

Sot sfida nuk është se cila parti do të fitojë më shumë në tavolinën e negociatave. Sfida është nëse politika kosovare është e gatshme të dëshmojë se ka hyrë në një fazë të re të pjekurisë demokratike. Demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje të lira; ajo matet edhe me aftësinë për të ndërtuar institucione pas zgjedhjeve”, shtjelloi ai.

Në fund, Vuniqi shtoi se nëse LVV-ja dhe LDK-ja arrijnë marrëveshje mbi besim reciprok, atëherë koalicioni i tyre do të ketë sukses. Në të kundërtën, sipas tij, nëse dialogu reduktohet në pazare për poste ose në përpjekje për ta neutralizuar njëra-tjetrën, atëherë kriza vetëm do të thellohet.

“Nëse dialogu ndërmjet LVV-së dhe LDK-së ndërtohet mbi respektimin e rezultatit zgjedhor, mbi besimin reciprok dhe mbi një program minimal në interes të Republikës, ai mund të shënojë fillimin e një kulture të re politike. Nëse reduktohet në pazare për poste ose në përpjekje për ta neutralizuar njëra-tjetrën, atëherë do të kemi vetëm një armëpushim politik dhe jo një zgjidhje.

Republika e Kosovës nuk ka nevojë për fitues të përkohshëm të krizave politike. Ajo ka nevojë për institucione që funksionojnë, për vendimmarrje të përgjegjshme dhe për një klasë politike që e kupton se mbi interesin e çdo partie qëndron interesi i shtetit. Pikërisht në këtë pikë do të matet suksesi ose dështimi i dialogut që sapo ka filluar” , përmbylli Agim Vuniqi për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot