Sytë kah formimi i institucioneve

0%

Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit. Institucionet do të mund të konstituohen nga java e ardhshme, nëse nuk do të ketë ankesa në rezultat deri mesditën e së hënës.

E analistët presin që konstituimi i Kuvendit dhe formimi i institucioneve të mos shoqërohen me vonesa e bllokada, në kohën kur shteti përballet edhe me pasoja nga mungesa e vendimmarrjes Konstituimi i institucioneve të reja do të mund të nisë nga java e ardhshme, nëse nuk do të ketë ankesa në rezultatin përfundimtar, që të shtunën e shpalli Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kryesuesi i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se afati i ankesave përfundon në mesditën e së hënës. “Pas këtij vendimi, kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj shpalljes së rezultatit, në afat prej 48 orësh, duke filluar nga ora 12 sot, e që përfundon në orën 12 të hënën. Ankesat dorëzohen në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa”, ka thënë Radoniqi në mbledhjen e së shtunës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

KQZ-ja e ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, pasi paraprakisht Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë, që kërkonin rinumërimin e votave të kandidatëve nga radhët e kësaj partie.

Radoniqi ka thënë se auditimi që u është bërë votave të numëruara nuk ka gjetur deformime në rezultate. “Rinumërimi i 185 vendvotimeve, nuk ka nxjerrë ndonjë gjetje që do ta arsyetonte nevojën për rinumërime të tjera.

Dallimet e evidentuara kanë qenë minimale dhe kryesisht lidhen me rikategorizimin e fletëvotimeve nga të pavlefshme në të vlefshme, si dhe me gabime njerëzore gjatë numërimit fillestar”, ka thënë ai. Pro shpalljes së rezultatit përfundimtar kanë votuar të gjithë anëtarët e KQZ-së, prezentë në mbledhje.

Bazuar në të, shpërndarja e ulëseve në Kuvend mbetet e njëjtë, sikur ajo e kalkuluar nga rezultati i numërimit edhe të votave të shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike 19.44 për qind, përkatësisht 22 ulëse, Lidhja Demokratike 16.69 për qind, përkatësisht 18 ulëse, ndërsa Aleanca me 6.74 për qind, që ia kanë siguruar 7 ulëse në Kuvend. 20 ulëse të tjera janë ndarë mes partive të komuniteteve.

Po që se certifikimi ndodh të hënën, sfidë e menjëhershme për partitë politike është funksionalizimi i institucioneve të reja. Analistët kanë shprehur pritje që konstituimi i Kuvendit dhe formimi i institucioneve të mos shoqërohen me vonesa e bllokada, në kohën kur shteti përballet edhe me pasoja nga mungesa e vendimmarrjes.

Bazuar në Kushtetutë, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet më së largu 30 ditë pas shpalljes së rezultateve. Por, praktika e deritashme ka treguar se ajo thirret menjëherë pas certifikimit. Analisti politik, Mazllum Baraliu ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit, duhet të diskutohet çështja e zgjedhjes së presidentit.

“Është interes i veçantë formimi i institucioneve, në këtë rast, Kuvendit, presidentit dhe pastaj edhe Qeverisë, në mënyrë që të stabilizohet vendi të paktën në aspektin institucional dhe të mund të funksionojë duke i kryer detyrat secili institucion brenda vendit dhe jashtë tij”, ka thënë ai.

Por, përfaqësues të Vetëvendosjes kanë thënë se pas konstituimit të Kuvendit, seanca e radhës duhet të jetë për qeverinë. Analisti tjetër politik, Basri Muja, ka thënë se partitë duhet të sillen konform rezultatit zgjedhor, e të mos krijojnë bllokada. “Nëse ekziston mundësia e krijimit të një shumice parlamentare, atëherë Qeveria duhet edhe të formohet.

Për të shmangur zgjedhjet e reja, partitë politike duhet të respektojnë vullnetin qytetar, të shprehur më 7 qershor dhe t’i marrin rolet të cilat iu takojnë. Presidenti nuk duhet të përdoret për bllokim, por të zgjidhet një figurë jopartiake me konsensus më të gjerë”, ka thënë ai. Mungesa e funksionalitetit të Kuvendit ka prodhuar edhe pasoja financiare.

Në mungesë të vendimmarrjes konform afateve që ka përcaktuar Bashkimi Evropian, Kosova humb në qershor 60 milionë euro të parapara në Planin e Rritjes. Baraliu ka thënë se politikanët duhet ta kenë parasysh edhe këtë, kur të vendosin nëse duan ose jo të kontribuojnë në konstituimin e institucioneve.

“Kemi shumë detyra dhe jemi në një situatë të vonuar ku po humbim dhjetëra e miliona euro edhe të ndihmave të pakta që janë për vendin që na jepen ne, për shkak të mosmarrëveshjeve tona të brendshme nuk po mund t’i shfrytëzojmë dhe kjo është një diçka që do të duhej të kritikohet dhe klasa politike të vetëdijesohet në mënyrë që sa më parë të mos presim njëri-tjetrin, por të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë, t’i zgjidhin këto probleme dhe t’i formojnë institucionet”, ka thënë Baraliu.

Përderisa partitë në opozitë kanë dhënë sinjale të ndryshme për bashkëpunim të mundshëm në formimin e institucioneve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vazhdimisht ka deklaruar se për biseda do të pritet certifikimi i rezultateve.

Zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë lënë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi në kuadër të “një pakoje gjithëpërfshirëse” për të tri institucionet.

Ndërkaq një ditë më parë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka publikuar gjashtë kërkesa, plotësimi i të cilave do të nënkuptonte që deputetët e kësaj partie do të kontribuonin në procesin e vendimmarrjes për formimin e institucioneve të reja.

Në krye të tyre ka vënë nisjen e menjëhershme të procedurave për ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe pranimin e projektit të gazit amerikan. Në Partinë Demokratike para zgjedhjeve kanë thënë se s’kanë vija të kuqe, por pas tyre s’ka pasur qëndrim final. Për t’u formuar Qeveria, kërkohen së paku 61 vota për.

Ndërkaq, procedura e zgjedhjes së presidentit nuk mund të nisë pa marrë pjesë në votim së paku 80 deputetë. Zgjedhjet e rregullta u organizuan në shkurt të vitit të shkuar, ndërsa Kuvendi arriti të konstituohet tek në fund të gushtit. E meqë Vetëvendosja dështoi ta sigurojë shumicën për krijimin e qeverisë, u organizuan zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor.

Pas këtyre zgjedhjeve nuk pati bllokadë për të dyja institucionet, por Kuvendi u shpërnda meqë nuk arriti ta zgjedhë presidentin.

Burimi: Koha