Suplementet me omega-3 nuk sjellin përfitime kundër Alzheimerit

0%

Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Miliona njerëz marrin suplemente me vaj peshku (omega-3) me shpresën se do të mbrojnë kujtesën dhe do të ulin rrezikun e sëmundjes së Alzheimerit. Megjithatë, një studim i ri ka treguar se këto suplemente nuk sjellin përfitimet që shumë njerëz presin, ka shkruar ScienceDaily.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore eBioMedicine dhe i udhëhequr nga studiues të Keck Medicine në Universitetin e Kalifornisë Jugore (USC), ka zbuluar se megjithëse acidet yndyrore omega-3 arrijnë në tru, ato nuk përmirësojnë kujtesën, aftësitë mendore dhe as nuk ngadalësojnë ndryshimet në tru që lidhen me sëmundjen e Alzheimerit.

Në studim morën pjesë 365 persona të moshës 55 deri në 80 vjeç, të cilët konsumonin rrallë peshk dhe konsideroheshin me rrezik më të lartë për zhvillimin e Alzheimerit. Pjesëmarrësit morën çdo ditë suplemente me dozë të lartë omega-3 ose placebo për dy vjet. Pas gjashtë muajsh, analizat treguan se omega-3 kishte arritur me sukses në tru.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, pas dy vjetësh nuk u vu re asnjë përmirësim në testet e kujtesës dhe të të menduarit. Skanimet e trurit treguan gjithashtu se suplementet nuk e ngadalësuan tkurrjen e hipokampusit, pjesës së trurit që luan rol të rëndësishëm në kujtesë dhe që preket herët nga sëmundja e Alzheimerit.

“Ne të gjithë do të donim të ekzistonte një zgjidhje e thjeshtë për parandalimin e Alzheimerit, por rezultatet tona tregojnë se suplementet me vaj peshku nuk duket se mbrojnë shëndetin e trurit.

Edhe pse omega-3 është i rëndësishëm për lidhjet mes qelizave të trurit, studimi ynë nuk mbështet përdorimin e suplementeve si masë parandaluese kundër Alzheimerit”, ka thënë drejtuesi i studimit, doktori, Hussein Naji Yassine.

Studiuesit besojnë se omega-3 mund të jetë më i dobishëm kur merret përmes një diete të shëndetshme, si dieta mesdhetare, e cila përfshin rregullisht peshk, vaj ulliri, fruta, perime dhe drithëra të plota, sesa në formën e suplementeve. Ata theksojnë gjithashtu se mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin e trurit mbetet një stil jetese i shëndetshëm.

“Ruajtja e shëndetit gjatë gjithë jetës është arma më e fortë që kemi për të ulur rrezikun e Alzheimerit. Aktiviteti fizik i rregullt, gjumi cilësor dhe ushqyerja e balancuar janë faktorët më të rëndësishëm. Kujdesi për trurin është si mirëmbajtja e rregullt e një makine, nëse neglizhohet, me kalimin e kohës funksionon gjithnjë e më keq”, ka përfunduar Yassine.

Burimi: Koha