Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se, numri i rasteve të konfirmuara me fruth në vend ka arritur në 63, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar edhe 11 raste të reja. Sipas përditësimit të situatës epidemiologjike, rastet janë raportuar gjatë periudhës 16 prill – .
Komuna e Prishtinës vazhdon të ketë numrin më të madh të të prekurve, me 19 raste, e ndjekur nga Ferizaj me 12 raste, Fushë Kosova me nëntë dhe Kaçaniku me tetë raste. Lipjani ka raportuar tre raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi nga dy raste secila. Nga një rast është regjistruar në Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.
IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqitet sa më shpejt në institucionet shëndetësore.
Instituti ka apeluar gjithashtu te prindërit dhe kujdestarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare. Sipas IKSHPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, kufizimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
