Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vdekjes së zyrtarit policor, i cili humbi jetën në një aksident, derisa ishte në kryerje të detyrës në pikëkalimin kufitar në Vërmicë.
Polici Rexhep Gashi, 59 vjeç, nga Malisheva, ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Vërmicë, derisa ishte duke patrulluar këmbë dhe në momentin kur vendosi ta kalojë rrugën u goditë për vdekje.
Përmes një komunikate për media, Sindikata tha se rasti tragjik dëshmon edhe një herë rrezikun me të cilin përballen çdo ditë zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas Sindikatës, humbja e jetës së një polici në krye të detyrës rikthen në vëmendje nevojën urgjente për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor të zyrtarëve policorë.
“Humbja e jetës së një polici në krye të detyrës e rikthen edhe një herë në vëmendje nevojën urgjente për trajtimin e çështjeve jetike për zyrtarët policorë, veçanërisht sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor”- thuhet në reagimin e Sindikatës.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhjen e këtyre çështjeve, duke theksuar se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kryejnë detyra me përgjegjësi të lartë dhe në kushte me rrezik të shtuar për jetën dhe shëndetin.
Në fund të reagimit, Sindikata e Policisë së Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjes së zyrtarit policor, kolegëve të tij dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për humbjen e rëndë në krye të detyrës.
