Si ka ndryshuar ‘Bota sot’ në tri dekada: nga shtypi tradicional te epoka digjitale

0%

Më shumë se tri dekada që kur filloi punën gazeta kombëtare ‘Bota sot’. Përgjatë gjithë këtyre viteve ‘Bota sot’ ka qenë e njohur si gazetë kombëtare që ka bashkuar shqiptarët anëkënd botës, duke trajtuar çështjet dhe problemet e tyre kudo.

Në 31-vjetorin e saj, kjo gazetë tashmë si media që funksionin online ka ruajtur lexueshmërinë, besueshmërinë, si dhe guximin për të vazhduar përpara punën e saj.

Lidhur me atë se si ka evoluar marrëdhënia e saj me lexuesin ndër vite, duke filluar nga format tradicionale të gazetarisë së shtypur e deri te epoka digjitale dhe platformat online, kanë folur lexuesit e rregullt të saj, profesorë dhe njohës të politikës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ata vlerësojnë se gazeta “Bota sot” ka luajtur një rol të rëndësishëm në informimin e opinionit publik shqiptar gjatë tri dekadave të fundit. Sipas tyre, kjo media ka qenë një urë lidhëse mes shqiptarëve në atdhe dhe diasporë, duke ofruar informacion të besueshëm në periudha të rëndësishme historike.

Duke theksuar se pavarësia editoriale, guximi profesional dhe përkushtimi ndaj së vërtetës kanë qenë ndër faktorët kryesorë që e kanë mbajtur gazetën të lexuar dhe të respektuar ndër vite. Po ashtu, vlerësohet se “Bota sot” ka arritur t’u përshtatet ndryshimeve teknologjike dhe sfidave të epokës digjitale, duke ruajtur rolin e saj në informimin e publikut brenda dhe jashtë Kosovës.

Kelmendi vlerëson se gazeta “Bota sot” ka qenë një prej shtyllave të informimit në kohët kur Kosova përballej me mungesë informacioni Me rastin e 31-vjetorit të themelimit të gazetës “Bota sot”, publicisti dhe analisti Jeton Kelmendi ka vlerësuar rolin që kjo media ka luajtur ndër vite në informimin e opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë.

Jeton Kelmendi Kelmendi thekson se që nga themelimi i saj, “Bota sot” është karakterizuar nga përkushtimi për informim të drejtë dhe nga guximi në trajtimin e çështjeve me interes publik. “Mendoj që ‘Bota sot’ ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm që nga themelimi i saj, pra për të informuar opinionin.

Janë disa gjëra që fillimisht e kanë karakterizuar punën e kësaj gazete; qasja e saj në shërbim të opinionit të drejtë dhe guximi, janë dy shtylla të kësaj gazete”, deklaron ai. Sipas Kelmendit, rëndësia e gazetës ishte veçanërisht e madhe në periudhën kur Kosova përballej me mungesë të theksuar informacioni.

“Po flas për kohën sa ishte gazetë dhe një kohë kur Kosova ndodhej në gjysmëterr informativ. Kjo bëri një punë të jashtëzakonshme”, shprehet ai. Duke folur për transformimin e mediave, Kelmendi kujton se me kalimin e viteve u rrit numri i mediave dhe ndodhi kalimi nga gazetaria e shtypur drejt platformave digjitale.

Ai vlerëson se shuarja e gazetave të shtypura ka qenë një zhvillim i pafavorshëm për median, ndonëse teknologjia ka sjellë ndryshime të pashmangshme në mënyrën e informimit. “Ndodhi një gjë e keqe që nuk duhej të ndodhte, shuarja e gazetave dhe kjo ka ndikuar për të keq.

Sigurisht, teknologjia e ka bërë të veten, por e ka një ndjenjë shumë të mirë kur gazeta është e shtypur dhe pi kafen e mëngjesit me gazetën”, thotë ai. Kelmendi tregon se ka qenë lexues i rregullt i “Bota sot”, si gjatë kohës kur jetonte në Kosovë, ashtu edhe kur ka jetuar në diasporë.

Unë nuk e kam huqur gazetën ‘Bota sot’ për shumë vite, qoftë kur kam jetuar në Kosovë, qoftë edhe në diasporë e kam blerë”, thekson ai. Megjithatë, sipas tij, sot media vepron në një realitet krejtësisht tjetër, ku portalet online dhe rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën e konsumimit të informacionit.

Kelmendi vëren se “Bota sot” nuk e ka më të njëjtin rol dominues që kishte dikur, pasi tashmë është pjesë e një hapësire mediatike shumë më të gjerë dhe më konkurruese. Ai shton se mediat sociale kanë sjellë mundësi të reja komunikimi, por edhe rreziqe serioze për cilësinë e informacionit.

“Nëse në të mirë përdoren, mediat sociale janë të mira, por për fat të keq ka keqpërdorime dhe abuzime. Bëhen gjëra të pavërteta dhe kjo i vë në dilemë lajmet, duke e zbehur edhe të vërtetën”, shprehet ai. Në fund, Kelmendi vlerëson se pavarësisht sfidave të kohës, “Bota sot” ka arritur të ruajë vazhdimësinë dhe rëndësinë e saj në informimin e publikut.

Ai konsideron se gazeta vazhdon të mbajë një rol historik jo vetëm në Kosovë, por edhe mbarëshqiptar. “Sido që të jetë, ‘Bota sot’ vazhdon të ketë rolin e saj historik në informimin jo vetëm në Kosovë, por edhe mbarëkombëtar”, përfundon Kelmendi.

Bexheti: “Bota sot” ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në informimin e shqiptarëve gjatë periudhave më të vështira historike Me rastin e 31-vjetorit të themelimit të gazetës “Bota sot”, profesori dhe publicisti Nexhat Bexheti ka shprehur vlerësimin e tij për kontributin që kjo media ka dhënë ndër vite në informimin e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Nexhat Bexheti Sipas Bexhetit, “Bota sot”, e themeluar në Cyrih të Zvicrës nga Xhevdet Mazrekaj, lindi në një kohë kur liria e shtypit ishte e kufizuar dhe nevoja për një zë të lirë e të pavarur ishte e domosdoshme. “Gazeta ‘Bota sot’ nisi si një përpjekje për të ofruar një zë të lirë dhe të pavarur për shqiptarët, në një kohë kur liria e shtypit ishte shumë e kufizuar.

Ajo solli një frymë të re në media dhe ofroi një alternativë të rëndësishme në një periudhë kritike për shqiptarët”, thotë ai. Bexheti vlerëson se gazeta ka shërbyer si një lidhje e fortë ndërmjet shqiptarëve në atdhe dhe atyre në diasporë. “Kjo gazetë më shumë i ngjan një hallke që lidhi popullin shqiptar me vendlindjen dhe diasporën.

Lajmet nga vendlindja ua përcillte shqiptarëve kudo që jetonin” , shprehet ai. Sipas tij, një nga vlerat më të mëdha të “Bota sot” ka qenë pavarësia editoriale dhe qëndrimi i saj larg ndikimeve politike. Ai thekson se gazeta ka mbajtur gjithmonë anën e interesit kombëtar dhe të informimit të drejtë, pa favorizuar subjektet politike.

“Neutraliteti i gazetës ‘Bota sot’ është një gur i çmuar i fjalës së lirë. Ajo nuk ka favorizuar partitë politike, por lajmin dhe të drejtën e çdo shqiptari për t’u informuar”, deklaron Bexheti. Duke kujtuar periudhën e regjimit të Slobodan Millosheviqit, ai thekson se “Bota sot” ishte ndër mediat që kundërshtoi propagandën dhe demaskoi dezinformatat e kohës.

“‘Bota sot’ ishte gazeta e parë ditore e pavarur shqiptare që gjatë kohës së Millosheviqit demaskonte lajmet e rreme dhe politikat që kishin suprimuar institucionet legale të Kosovës”, vlerëson ai. Profesori dhe publicisti shton se gazeta nuk u kufizua vetëm në raportimin e ngjarjeve të përditshme, por kontribuoi edhe në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.

Sipas tij, gazetarët e saj kanë qenë aktivë edhe në arenën ndërkombëtare, duke ngritur çështjen e Kosovës në forume të rëndësishme. “‘Bota sot’ u angazhua në ruajtjen e identitetit kombëtar përmes një gazetarie të guximshme që nuk pranonte kompromis me të vërtetën.

Gazetarët e saj ishin aktivë edhe në konferencat për shtyp në selinë e NATO-s në Bruksel, ku ngrinin vazhdimisht çështjen e Kosovës” , thekson ai. Duke folur për zhvillimin e gazetës ndër vite, Bexheti vëren se ajo ka ditur të përshtatet me ndryshimet teknologjike dhe me mënyrat e reja të konsumimit të informacionit.

Ai thotë se kalimi në platformat online dhe digjitale ka qenë një transformim i domosdoshëm për të ndjekur trendet globale dhe nevojat e lexuesve. “Gazeta ‘Bota sot’, që nga dalja e saj e deri më sot, ka pësuar transformime për shkak të përshtatjes me lexuesit dhe ndjekjes së trendeve botërore. Ajo vazhdon t’i mbajë lexuesit pranë dhe të ketë ndjekës të rregullt”, shprehet Bexheti.

Ai veçon gjithashtu larmishmërinë e rubrikave, të cilat sipas tij kanë kontribuar në pasurimin e përmbajtjes së gazetës dhe në ruajtjen e interesimit të publikut. Në fund, Bexheti uron gazetën për përvjetorin e saj, duke shprehur dëshirën që krahas zhvillimit digjital, në të ardhmen të rikthehet edhe botimi i saj në formatin e shtypur. “Është kënaqësi të festojmë 31-vjetorin e ‘Bota sot’.

Ajo ka lënë një gjurmë të thellë në historinë e medias shqiptare dhe ka qenë e do të mbetet një bastion i lirisë së fjalës dhe i pavarësisë mediatike. Shpresoj që në të ardhmen të rikthehet edhe botimi në formën e shkruar” , përfundon Bexheti. Ai u shpreh mirënjohës ndaj themeluesit, gazetarëve dhe redaksisë së gazetës, duke u uruar suksese dhe shumë përvjetorë të tjerë.

Burimi: Bota Sot