Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare në Shqipëri ka njoftuar se janë shpëtuar nëntë turistë të huaj në dy raste të ndryshme të ndodhura sot, më , në Himarë dhe Ksamil. Policia ka njoftuar se në Himarë pas njoftimit të marrë nga një shtetase spanjolle se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A.
G., kishte mbetur në vështirësi në det, në zonën e Filikurit, pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Në njoftim të Policisë thuhet se brenda një kohe të shkurtër u bë i mundur lokalizimi i tij, nxjerrja nga uji dhe transportimi në mënyrë të sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, duke shmangur pasoja për jetën.
Ndërsa, në Ksamil, rreth orës , shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë 8 turistëve brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi mjeti i tyre lundrues, tip skaf plastik, rrezikonte të fundosej në zonën prapa vendit të quajtur “Tre Ishujt”.
“Falë ndërhyrjes së shpejtë me gomone dhe jet ski, të gjithë turistët u shpëtuan, ndërsa mjeti lundrues u rimorkua në mënyrë të sigurt drejt plazhit “Puerto Rico”, në Ksamil”- thuhet në njoftim.
Ndërsa është bërë e ditur se të dyja ndërhyrjet u përmbyllën me sukses, pa pasoja për jetën apo shëndetin e turistëve, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për profesionalizmin, gatishmërinë dhe reagimin në kohë të shërbimeve të Policisë Kufitare.
Tutje thuhet se Policia Kufitare mbetet maksimalisht e angazhuar për garantimin e sigurisë së jetës në det dhe apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e mjeteve të sigurisë, si dhe shmangien e lundrimit në zona që paraqesin rrezik.
