Përfaqësueset shqiptare të basketbollit, si çdo verë, vijojnë konkurrimin në Kampionatet Europiane të moshave, kompeticione që organizohen nga FIBA. Dita e djeshme shënoi sfidat e fundit në grup për Shqipërinë U16, si për vajza, gjithashtu edhe për djem, ekipe që po marrin pjesë në kategorinë më të ulët, në Divizionin C.
Vajzat kuqezi e kanë mbyllur me sukses fazën e grupeve, duke shënuar 3 fitore në po kaq ndeshje në turneun që po mbahet në Maltë. Shqipëria U-16 e vajzave, e drejtuar nga trajneri Olsi Muça, u kualifikua se vend i parë në Grupin B.
Pasi kishte mposhtur Gjibraltarin në ndeshjen e parë me rezultatin e thellë 96-38 dhe Armeninë në takimin e dytë në shifrat 89-75, Shqipëria u rikthye dje në parket për takimin e tretë, duke dhuruar një tjetër paraqitje shumë të mirë. Vajzat kuqezi mposhtën Moldavinë me rezultatin 86-40, për të prerë bletën për në gjysmëfinale dhe tashmë do të kenë mundësinë që të luftojnë për medalje.
Nga ana tjetër, Shqipëria U-16 e djemve dështoi në Grupin A në turneun që po mbahet në Jerevan të Armenisë. Skuadra e drejtuar nga Mikel Serbo shënoi një fitore në debutim kundër modestëve të San Marinos në shifrat 106-59, për të koleksionuar më pas dy humbje, 56- 74 kundër Moldavisë dhe 65- 90 në takimin e djeshëm kundër Kosovës.
Ndonëse bëhej fjalë për kategorinë më të ulët, përfaqësuesja U-16 nuk arrin që të kualifikohet dhe tashmë do të vijojë rrugëtimin vetëm për klasifikimin final. Ndërkohë, shumë të diskutueshme kanë qenë edhe zgjedhjet e grumbullimeve te kjo grupmoshë, me trajnerin Serbo që çuditërisht ka lenë jashtë disa elementë që kanë spikatur në kampionatin kombëtar U-16.
Seleksionim që ngre hije të forta dyshimi në komunitetin e basketbollit për aplikimin e qokave dhe jo të meritokracisë në përzgjedhjen e lojtarëve për Kombëtaren.
