Sot, me respektin dhe nderimin më të lartë, kujtojmë 28-vjetorin e rënies heroike të Heroit Rrustem Bruqi, njërit ndër figurat më të rëndësishme politike, organizative dhe ushtarake të komunës së Deçanit dhe të historisë më të re të Kosovës. Rrustem Bruqi, me profesion jurist, ishte ndër veprimtarët më të palodhur të çështjes kombëtare.
Ai u angazhua në pothuajse të gjitha proceset politike të viteve ’90, por veprimtaria e tij kishte filluar shumë më herët. Ishte njëri ndër kundërshtuesit më të vendosur të ndryshimeve të dhunshme kushtetuese të regjimit serb, duke organizuar dhe marrë pjesë në mbledhje, tubime masive dhe protesta në komunën e Deçanit dhe më gjerë.
Si anëtar i Shoqatës së Juristëve të Deçanit, së bashku me kolegët e tij, tregoi guxim të jashtëzakonshëm qytetar dhe kombëtar duke hartuar Statutin e Komunës së Deçanit në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut. Në rrethanat e okupimit serb, ky ishte një akt i rëndësishëm juridik dhe politik, që dëshmonte vendosmërinë për ndërtimin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës.
Veprimtaria e Heroit Rrustem Bruqi nuk u kufizua vetëm në organizimin politik. Ai ishte njëri ndër ideatorët, së bashku me Heroin Salih Çekaj, Xhemajl Berishën dhe disa djem të Deçanit me rrethinë, të themelimit të grupeve të para të armatosura shqiptare.
Që nga viti 1991, këto grupe filluan aksionet guerile kundër policisë pushtuese serbe dhe vazhduan pa ndërprerje deri në fillimin e luftës çlirimtare. Në bashkëpunim me grupet e tjera të organizuara në Kosovë, ato goditën vazhdimisht aparatin represiv serb dhe krijuan bazën e rezistencës së armatosur.
Këto grupe përbënin bazamentin e fuqishëm mbi të cilin më vonë u ndërtua Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Me fillimin e luftës, Grupi i Deçanit mori mbi supet e veta një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të luftës: organizimin e pikave të furnizimit me armatim në Tropojë, Viçidol dhe Papaj, nën udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe të ministrit, kolonel Ahmet Krasniqi.
Më , pjesëtarët e këtij grupi hynë në Kosovë dhe organizuan pritjen e Brigadave Operative, të cilat më pas u futën në Kosovë nën komandën e kolonel Tahir Zemaj. Ata organizuan dhe siguruan furnizimin me armatim nga shtetet perëndimore dhe nga Shqipëria, duke krijuar një zinxhir të fuqishëm logjistik për nevojat e luftës çlirimtare.
Një kontribut i veçantë i Heroit Rrustem Bruqi ishte organizimi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij dhe me mbështetjen e banorëve të Isniqit, i kalimit të rreth njëqind ushtarëve nga Kosova në Shqipëri. Pikërisht në Papaj, këta luftëtarë dhanë betimin ushtarak para Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi.
Po ashtu, Rrustem Bruqi, së bashku me kolegët e tij dhe me banorët e Isniqit, organizoi përgatitjet për vendosjen e tri Brigadave Operative të komanduara nga kolonel Tahir Zemaj, duke krijuar kushtet për veprimin e tyre në Zonën Operative të Dukagjinit. Përkundër të gjitha përgjegjësive organizative dhe logjistike që mbante mbi supe, Heroi Rrustem Bruqi nuk qëndroi prapa vijës së frontit.
Ai ishte aty ku zhvillohej lufta. Mori pjesë drejtpërdrejt në Betejën e Logjës, një ndër betejat më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare, e komanduar nga oficerët profesionistë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, në krye me kolonel Tahir Zemaj. Më , Rrustem Bruqi ra heroikisht në fushën e nderit, duke fituar pavdekësinë.
Gjaku i tij dhe i të gjithë dëshmorëve u bë themeli i fuqishëm mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës. Në këtë përkujtim u përmend vetëm një pjesë e veprimtarisë së Heroit Rrustem Bruqi, sepse kontributi i tij është shumë më i madh sesa mund të përfshihet në një shkrim të vetëm.
Veprimtaria e Heroit Rrustem Bruqi është shumëdimensionale dhe nuk mund të izolohet vetëm brenda kornizave të Betejës së Logjës, sado madhështore dhe historike të jetë ajo.
Kur flasim për figurën e tij, duhet të flasim për të gjithë rrugëtimin e tij kombëtar, që fillon me organizimin politik të viteve të rezistencës, vazhdon me organizimin e rezistencës së armatosur, me ndërtimin e strukturave ushtarake të Republikës së Kosovës dhe përfundon me rënien e tij heroike në altarin e lirisë.
Po aq e padrejtë dhe tendencioze është edhe përpjekja për ta kufizuar figurën e Heroit Salih Çekaj vetëm brenda Betejës së Kosharës. Ashtu si Rrustem Bruqi nuk është vetëm Hero i Logjës, as Salih Çekaj nuk është vetëm Hero i Kosharës.
Të dy ishin ndër organizatorët kryesorë të lëvizjes politike dhe ushtarake të Kosovës që nga fillimet e saj, në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës të udhëhequra nga Presidenti historik Ibrahim Rugova. Vlera historike e Betejës së Logjës dhe e Betejës së Kosharës është jashtëzakonisht e madhe dhe ato do të mbeten përgjithmonë krenaria e popullit të Kosovës.
Megjithatë, figurat madhore të Heroit Rrustem Bruqi dhe Heroit Salih Çekaj me veprimtarinë e tyre shumëdimensionale e tejkalojnë edhe kufirin kohor të këtyre dy betejave. Ata ishin pjesë e të gjitha proceseve më të rëndësishme politike, organizative dhe ushtarake që çuan Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ata ecën krah për krah me idealin e Presidentit Ibrahim Rugova, me institucionet e Republikës së Kosovës, me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me luftëtarët e lirisë, deri në rënien e tyre heroike në fushën e nderit. Prandaj, Rrustem Bruqi dhe Salih Çekaj nuk janë vetëm heronj të betejave ku ranë.
Ata janë arkitektë të rezistencës sonë kombëtare, themelues të organizimit politik e ushtarak të Republikës së Kosovës dhe gurë themelorë të shtetit të Kosovës. Ata janë vetë liria dhe vetë shteti i Kosovës. Lavdi e përjetshme Heroit Rrustem Bruqi! Lavdi Heroit Salih Çekaj! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Me shumë nderime kryesia e SHBK „Salih Çekaj“,kryetari Saim Tahiraj!
