Sekretarja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, Ajsun Abdullahu Sadiku, ka paguar një trajnim që e ka mbajtur për t`u përgatitur për provimin e jurisprudencës, me paratë e ndërmarrjes në të cilën është vetë sekretare. Shuma që ajo paguar për këtë trajnim është 250 euro, ndërsa me miratim të Bordit të Drejtorëve, ajo është rimbursuar nga ndërmarrja për këtë pagesë.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Abdullahu Sadiku ka thënë se rimbursimi i këtyre mjeteve është bazuar në Planin e Biznesit 2026 – 2028 të KRU Hidromoravës, ku sipas saj, parashihen trajnime për të gjitha departamentet e ndërmarrjes.
“Rimbursimi është miratuar pas paraqitjes së kërkesës sime zyrtare përmes adresës elektronike zyrtare, e cila u është përcjellë Kryeshefit Ekzekutiv dhe gjithë anëtarëve të Bordit të Drejtorëve. Për këtë çështje disponoj dokumentacionin përkatës, përfshirë vendimin dhe korrespondencën zyrtare.”- ka thënë ajo përmes përgjigjeve me shkrim.
Ajo fillimisht ka bërë kërkesën për rimbursim, që sipas saj, lidhet drejtpërdrejtë me ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e njohurive të nevojshme, për ushtrimin e detyrave të saj në kuadër të ndërrmarrjes.
“Trajnimi ka pasur për qëllim përgatitjen për provimin e jurisprudencës, i cili lidhet ngushtë me fushën juridike dhe administrative në të cilën ushtroj përgjegjësitë e mia profesionale, meqenëse unë në cilësinë e Sekretares së Përgjithshme jam person i autorizuar për përfaqësimin e Ndërmarrjes pranë proceseve gjyqësore në Gjykatat kompetente në Republikën e Kosovës.”- ka thënë tutje Abdullahu Sadiku.
Ky lloj trajnimi, sipas Abdullahu Sadikut, është mbajtur në Odën e Avokatëve të Kosovës. Ajsun Abdullahu Sadiku është emëruar sekretare e KRU Hidromorava në dhjetor të vitit 2023 dhe mandati i saj është tre vjeçar.
Në anën tjetër, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KRU Hidromoravës, Habil Zeqiri, ka thënë gjithashtu se arsyeja se pse ia kanë miratuar kërkesën për rimbursim sekretares Abdullahu Sadiku, është për shkak se sipas tij, ndërmarrja ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve të stafit të lartë menaxhues.
Në një përgjigje përmes telefonit, Zeqiri ka thënë se sekretarja disa herë e ka përfaqësuar ndërmarrjen në procese gjyqësore dhe sipas tij, ka qenë e nevojshme e në interes të ndërmarrjes, që të paguhet ky lloj trajnimi.
“Në këtë rast, sekretarja e ka paraqitur një kërkesë, për arsye se është e vetmja që e mbulon, është sekretare e Ndërmarrjes dhe njëkohësisht këshilltare e Bordit për çështje juridike. Ne kur jemi ardhë, e kemi pa që ka pasur shumë probleme ligjore, ankesa e gjithçka, edhe nuk janë zbatu në favor të kompanisë asnjëherë.
Prej momentit kur kjo është sekretare në ndërmarrje, ka marrë pjesë nëpër seanca gjyqësore çdokund, ndërrmarrja ka dalë në atë kuptimin pozitiv, kur është anku dikush. Edhe i ka mbrojtur me dinjitet çështjet ligjore dhe ne e kemi pa të arsyeshme që kjo me i ngritë kapacitetet.”- ka thënë Zeqiri.
Sipas tij, ka pasur raste kur ndërmarrja ka paguar për trajnimin edhe të persona të tjerë të stafit. “Mirëpo edhe për zyrtarët e tjerë, inxhinerët e hidros që kanë nevojë për trajnime, menaxhmenti ua miraton pa problem, sepse ka nevojë kompania. Sepse teknologjtë e reja po avancohen, ka nevojë vazhdimisht për ndryshime”.
Kryesuesi Zeqiri ka thënë po ashtu se vendimi për kompensimin e sekretares Abdullahu Sadiku për provimin e jurisprudencës, është i bazuar në planin e biznesit të ndërmarrjes, që sipas tij, është një dokument strategjik që miratohet nga Bordi dhe që është i obliguar që të zbatohet nga menaxhmenti.
