Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, kërkon që skuadra e tij të mbahet mend si një ekip që nuk dorëzohet kurrë. Në çerekfinale të Botërorit 2026 Argjentina ndeshet me Zvicrën, ndërsa nëse e kalon kombëtaren helvetike, atëherë në gjysmëfinale do të përballet me fituesin e duelit mes Anglisë dhe Norvegjisë.
Kampionët në fuqi e kaluan me sukses fazën e grupeve të turneut, por në fazën me eliminim direkt janë përballur me vështirësi. Argjentina u detyrua të japë maksimumin për t’i mposhtur Kepin e Gjelbër dhe Egjiptin, ndërsa tani synon të vazhdojë rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit botëror.
Argjentina ka njëmbëdhjetë ndeshje radhazi pa humbje në Kupën e Botës dhe kërkon të bëhet kombëtarja e parë pas Brazilit të vitit 1962 që fiton dy Botërorë radhazi. Megjithatë, në çerekfinale e pret një përballje e vështirë ndaj një skuadre të organizuar mirë dhe me shumë disiplinë taktike si Zvicra.
Në konferencën për media para ndeshjes në stadiumin “Arrowhead” në Kansas City, Scaloni ka thënë se dëshiron që kjo Argjentinë të kujtohet për karakterin dhe shpirtin luftarak. “Do të doja që kjo kombëtare të mbahet mend si një ekip që nuk u dorëzua kurrë”, ka thënë Scaloni.
Trajneri argjentinas ka treguar se ishte emocionuar pasi kishte parë një tifoz të ri duke shprehur dashurinë e tij për kombëtaren. “Ne, stafi teknik dhe lojtarët, luajmë futboll për këto momente. Nuk luajmë vetëm për një fitore. Kur sheh një fëmijë dhjetë vjeçar duke folur me aq pasion dhe të gjithë duke bërtitur ‘Argjentina’, kjo është diçka jashtëzakonisht emocionuese.
Ky është trashëgimia që dua të lëmë”, ë shtë shprehur ai. Ndeshja ndaj Zvicrës do ta rikthejë Lionel Messin në stadiumin ku ai nisi Botërorin 2026 me një paraqitje të jashtëzakonshme. Ylli argjentinas shënoi tre gola në fitoren 3:0 ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse.
Messi aktualisht është në garë për “Këpucën e Artë” me Kylian Mbappe të Francës, pasi të dy kanë nga tetë gola në këtë Botëror. Me njëzet e një gola në karrierë në Kupën e Botës, Messi është tashmë golashënuesi më i mirë në historinë e këtij kompeticioni. Scaloni ka thënë se beson që kapiteni i Argjentinës mund të vazhdojë të jetë në nivelin më të lartë për aq kohë sa ai vetë dëshiron.
“Në moshën tridhjetë e nëntë vjeçare, disa mund të mendojnë se ai nuk mund të përballojë më sfidat, por unë e kam thënë më parë: për aq kohë sa ai dëshiron, ai do të vazhdojë të jetë më i miri”, ka deklaruar Scaloni. Ai ka shtuar se njerëzit që e shohin Messin çdo ditë në stërvitje e kuptojnë ende më mirë madhështinë e tij.
“Ata që e shohin duke punuar sot nuk mund ta imagjinojnë se si ishte kur ishte njëzet e tre vjeç, në kohën kur luante te Barcelona me Pep Guardiolën”, ka thënë trajneri argjentinas. Përballë Argjentinës do të jetë Zvicra, e udhëhequr nga kapiteni Granit Xhaka, të cilën Scaloni e ka vlerësuar si një kundërshtar shumë të fortë. “Ata kanë një histori të gjatë në Botërorë.
Kanë shumë lojtarë me përvojë dhe janë fizikisht të fortë. Do të jetë një kundërshtar i vështirë, kjo është e sigurt”, k a thënë trajneri argjentinas. Zvicra siguroi vendin në çerekfinale pasi eliminoi Kolumbinë, një prej skuadrave që kishte bërë paraqitje të mira gjatë këtij Botërori.
