Maroku ka marrë një goditje të rëndë para çerekfinales së Kupës së Botës kundër Francës, pasi sulmuesi Ismael Saibari është përjashtuar nga kjo përballje për shkak të një dëmtimi muskulor.
Ylli maroken, i cili së fundmi ka kompletuar transferimin te Bayern Munich për rreth 50 milionë euro, u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 22 minutash në fitoren 3-0 të Marokut ndaj Kanadasë në 1/8 e finales. Edhe pse ekzaminimet mjekësore në Boston treguan se dëmtimi nuk është shumë serioz, ndeshja ndaj Francës ka ardhur shumë herët për të.
Për këtë arsye, Saibari nuk do të jetë i gatshëm për duelin e madh ndaj një prej favoritëve kryesorë për ta fituar Botërorin. Mungesën e tij e konfirmoi edhe trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes. Ai theksoi se nuk do të rrezikojë me lojtarë që nuk janë plotësisht të gatshëm fizikisht. “Të gjithë janë të disponueshëm, përveç Saibarit.
Ndeshja vjen shumë herët për të, edhe pse shpresoj se nuk është jashtë për pjesën tjetër të turneut. Ne do të zgjedhim vetëm lojtarët që janë 100 për qind të gatshëm ”, deklaroi Ouahbi. Mungesa e Saibarit është një humbje e madhe për “Luanët e Atlasit”, pasi ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Marokut gjatë këtij Botërori.
Ai kishte shënuar tre gola të rëndësishëm dhe realizoi edhe penalltinë vendimtare që eliminoi Holandën në raundin e 1/16 së finales. Në vend të tij, Soufiane Rahimi pritet të jetë favoriti për ta udhëhequr sulmin e Marokut kundër Francës. Megjithatë, Ouahbi mbetet i bindur se skuadra e tij ka thellësinë e nevojshme për të përballuar mungesën e një lojtari kaq të rëndësishëm.
“Kur dëshiron të shkosh larg në një garë, ke nevojë për të gjithë. Lojtarët që nuk janë titullarë e dinë se mund ta përfundojnë ndeshjen dhe të bëjnë diferencën. Kjo është diçka pozitive për grupin dhe na jep shumë besim”, shtoi trajneri maroken. Përballja në Boston ka edhe një ngarkesë të madhe emocionale për Marokun.
Franca ishte skuadra që e eliminoi në gjysmëfinalen e Botërorit 2022 në Katar, ndaj ky duel shihet edhe si mundësi për hakmarrje sportive. Lajm i mirë për Marokun është rikthimi i qendërmbrojtësit Chadi Riad, i cili mungoi në ndeshjen e kaluar për shkak të një dëmtimi të pazbuluar.
Prania e tij pritet ta forcojë repartin defensiv në një sfidë ku Maroku do të ketë nevojë për përqendrim maksimal. Përballë Kylian Mbappes dhe një France që ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit në turne, Maroku duhet të bëjë një paraqitje pothuajse perfekte për të vazhduar ëndrrën botërore. Pa Saibarin, detyra bëhet edhe më e vështirë.
Por Maroku ka treguar edhe më parë se di të sfidojë pritshmëritë dhe të shkaktojë befasi të mëdha në skenën më të madhe të futbollit.
