Rusia ka pezulluar nga e mërkura () trafikun përmes disa kalimeve kufitare hekurudhore me Finlandën, Estoninë dhe Letoninë, ka raportuar Euronews vendimin e Moskës. Urdhri i Kremlinit i lëshuar të martën nuk tregon arsyet e mbylljes.
Deklarata përmend vetëm “pezullimin e përkohshëm” të lëvizjes së njerëzve, automjeteve, mallrave dhe ngarkesave përmes kalimeve të caktuara hekurudhore përgjatë pjesëve të kufirit shtetëror rus. Ministria e Jashtme e Rusisë u udhëzua të njoftojë Finlandën, Estoninë dhe Letoninë për vendimin.
Numri më i madh i mbylljeve do të ndikojë në kufirin finlandez, përfshirë pikat e kontrollit hekurudhor Vyborg, Vartsilya, Lyuttya, Shën Petersburg-Finlandsky dhe Svetogorsk. Trafiku hekurudhor do të ndalet njashtu në pikën e kontrollit Pechory-Pskov në kufirin ruso-estonez dhe në pikën e kontrollit Pytalovo në kufirin me Letoninë. Pse i mbyll Rusia kalimet kufitare?
Disa ditë më parë, Finlanda shpalli planet për të bashkëpunuar me firmën amerikane të mbrojtjes “Lockheed Martin” për ndërtimin e qendrës së parë të mirëmbajtjes në Europë për sistemet e raketave me lëshim të shumëfishtë (MLRS) në Tampere.
Lajmi ka shkaktuar zemërim dhe kërcënime në Rusi, me zëvendëskryetarin e parë të Komitetit të Mbrojtjes të Dumës shtetërore ruse, Aleksey Zhuravlyov, i cili akuzoi Finlandën se po kthehet në “Ukrainë të dytë” dhe kërcënoi hapur se Moska ka fuqinë ushtarake për ta shkatërruar gjysmën e vendit.
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, Finlanda ka rritur ndjeshëm pozicionin e saj mbrojtës pas përshkallëzimit të provokimeve ruse. Kufiri me Rusinë është mbyllur që nga viti 2023, dhe Helsinki ka akuzuar Moskën për orkestrimin e operacioneve hibride dhe zgjerimin e infrastrukturës ushtarake përgjatë kufirit.
Sipas një hetimi të kohëve të fundit danez, Rusia po rrit ndjeshëm praninë ushtarake në kufirin e NATO-s në përgatitje për një luftë të mundshme në të ardhmen me aleancën. Mobilizimi i mundshëm në Rusi Një arsye tjetër për vendimin e papritur për mbylljen e kalimeve kufitare hekurudhore është mobilizimi i përfolur i ardhshëm në Rusi.
Autoritetet ruse dyshohet se po diskutojnë një valë të re mobilizimi që në vjeshtë. Sipas disa raporteve, mobilizimi mund të shpallet në tetor pas zgjedhjeve për Dumën shtetërore, dhomën e ulët të parlamentit të Rusisë. Zgjedhjet janë planifikuar për 18-20 shtator.
Komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, ka deklaruar njashtu se Rusia mund të përdorë një valë të re mobilizimi këtë vjeshtë, duke përmendur edhe zgjedhjet e shtatorit. Sipas zyrtarëve të Kievit, Moska po përgatitet të mobilizojë dhjetëra mijëra ushtarë të rinj për të kompensuar humbjet në rritje në fushëbetejë.
Vala e parë e asaj që Moska e quajti “mobilizim i pjesshëm” në shtator 2022 shkaktoi protesta dhe bëri që qindra mijëra rusë të iknin jashtë vendit. Që atëherë, Kremlini e ka shmangur këtë hap, duke pasur parasysh sa jopopullor është dhe si mund të shkaktojë pakënaqësi në shoqëri.
Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare raportoi në janar se Rusia pësoi rreth 1.2 milion viktima në fushën e betejës që nga dhjetori 2025, duke përfshirë deri në 325 mijë trupa të vrara. Për kompensimin e këtyre humbjeve marramendëse, Moska duhet të rekrutojë më shumë se 30 mijë trupa të reja çdo muaj. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
