Rreziku gjatë verës, Hoxha: Deri në 10 vjet burg për zjarrvënie të

0%

Shpërndaje në: Institucionet përgjegjëse për sigurinë, menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen e pyjeve kanë ngritur alarmin për rrezikun e shtuar nga zjarret gjatë sezonit veror, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se Kodi Penal parasheh dënime që variojnë nga gjashtë muaj deri në 10 vjet burg për veprën penale të zjarrvënies. Ai bëri të ditur se gjatë viteve 2025 dhe 2026, Policia e Kosovës ka realizuar 1.222 intervenime në raste zjarresh, ka iniciuar 258 raste penale dhe ka arrestuar 37 persona.

Hoxha ka deklaruar se krahasuar me vitin 2024, rastet e raportuara të zjarrvënieve të qëllimshme janë rritur nga 264 në 469 raste në vitin 2025, ose rreth 70 për qind më shumë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Do jap edhe disa prej parashikimeve se çka parasheh Kodi Penal me këto dy vepra, se me çka mund të përballen ata që shkaktojnë zjarre dhe normalisht arrijnë të identifikohen dhe të arrestohen nga Policia e Kosovës dërgimit të përcjelljes në prokurori për procedim të mëtutjeshëm. Te rasti i zjarrvënies, neni 322, është i paraparë dënimi nga gjashtë muaj deri në 10 vjet”, ka thënë Hoxha.

U.d. i drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Shefki Avdullahu, deklaroi se Agjencia ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha strukturat e saj. Ai ka thënë se vetëm gjatë sezonit të kaluar në Kosovë janë regjistruar 11.466 vatra zjarri, duke kërkuar angazhim të gjerë të institucioneve qendrore dhe lokale.

“Qendrat operative emergjente funksionojnë pa ndërprerë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Qendrat rajonale të menaxhimit emergjent ushtrojnë monitorim të vazhdueshëm dhe koordinim me nivelin lokal. Në këtë kuadër theksoj gjithashtu aspektin e zbatimit të ligjit.

Të gjitha rastet e zjarrvënieve, pavarësisht nëse janë rezultat i veprimit të qëllimshëm apo i pakujdesisë, do të trajtohen në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, dekaroi Avdullahu.

Ndërkaq, hidrologu në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Bashkim Kastrati, deklaroi se institucioni monitoron në kohë reale kushtet meteorologjike përmes 24 stacioneve automatike, të cilat furnizojnë me të dhëna platformën kombëtare për menaxhimin e zjarreve pyjore.

“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës edhe gjatë situatave të tilla, do të thotë kur kemi temperatura të larta, në vazhdimësi e ngrit vigjilencën e saj përmes njoftimeve të cilat i bën për opinionin e gjerë publik, por natyrisht edhe për informimin e institucioneve”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa gjatë vitit 2025 janë përfshirë nga zjarret 2.230 hektarë pyje bëri të ditur U.d. i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Menderes Ibra, i cili potencoi se prej tyre 1.37- hektarë ishin pyje shtetërore e 863 hektarë pyje private. Sipas tij, dëmet nga zjarret nuk kufizohen vetëm në aspektin ekonomik.

“Ka qenë raste të paraqitura: në rajonin e Prishtinës 34, në rajonin e Mitrovicës 20, në rajonin e Pejës 3, në rajonin e Prizrenit 44, në rajonin e Ferizajt 6, dhe në rajonin e Gjilanit 32.

Dëmet në pyje janë brengë e madhe jo vetëm për ne në Agjencinë Pyjore, por edhe për gjithë shoqërinë, për arsye se dëmet në pyje nuk paraqesin vetëm dëmin ekonomik të djegies së pyjeve, por kanë dimension shumë më të lartë, që është shkatërrimi i florës dhe faunës, rrënimi i burimeve ujore, e pastaj ndikimi në lirimin e dioksidit të karbonit, ndryshimi i cilësisë së ajrit e kështu me radhë”, ka thënë Ibra.

Drejtori i Departamentit të Pylltarisë, Tahir Ahmeti, ka deklaruar se temperaturat e larta dhe lagështia e ulët e tokës rrisin ndjeshëm rrezikun për shpërthimin e zjarreve, duke kërkuar koordinim më të madh institucional dhe bashkëpunim me qytetarët.

“Ne po futemi në një periudhë ku temperaturat janë të larta, lagështia e tokës është e ulët, dhe ka potencial të madh për t’u shkaktuar zjarri. Në aspektin legjislativ, ligji për pyjet përcakton se ndezja e zjarreve apo e këtyre mjediseve me drunj sanksionohet me ligj, edhe të gjithë ata persona që bëjnë një veprim të tillë, ballafaqohen me fuqinë e ligjit…. …

Masat preventive për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri përcaktohen me planet menaxhuese dhjetëvjeçare. Është obligim me ligj që institucionet që menaxhojnë me pyjet të kenë këto plane, ato t’i implementojnë në mënyrë se si janë të përshkruara aty.

Dhe, varësia nga kushtet klimatike e bën këtë proces mjaft kompleks për faktin se pyjet gjithmonë edhe në të kaluarën kanë qenë ekosistemet më të rrezikuara nga degradimi nga zjarri”, u shpreh ai.

Ahmeti rikujtoi se ligji ndalon ndezjen e zjarrit brenda një distance prej 500 metrash nga pyjet, përveç vendeve të posaçme të përcaktuara për këtë qëllim, ndërsa theksoi se shkelësit do të përballen me sanksionet e parashikuara me ligj. /KP

Burimi: Koha