Roli historik i “Deklaratës së Pavarësisë” të 4 Korrikut 1776

0%

250 vjetët që kanë kaluat nga 4 korriku i vitit 1776, kur në Kongresin e Dytë Kontinental në Filadelfia, Pensilvani të SHBA u miratua “Deklarata e Pavarësisë” për shkëputjen nga Britania e Madhe, e hartuar nga Tomas Xhefersoni, në të cilën ishin fiksuar fjalët lapidare: “Shpallim se këto të vërteta janë absolute; të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.

Zoti u ka dhënë të drejta të patjetërsueshme si jetën, lirinë dhe lumturinë. Shpallim se për sigurimin e këtyre të drejtave njerëzit krijojnë qeveritë e tyre, pushteti i të cilëve varet nga miratimi i të qeverisurve; në çastin kur një qeveri nuk u shërben më këtyre qëllimeve, populli ka të drejtë ose ta ndryshojë ose ta shpërndajë, duke krijuar një qeveri të re e cila do të bazohet në këto parime dhe do të organizohet në mënyrë të tillë që t`i garantojë popullit siguri e lumturi”, kanë treguar më së miri se cila është rruga e vetme për të mbërritur te realizimi i ëndrrës demokratike të njerëzimit, për një jetë më të mirë dhe dinjitoze.

Me të drejtë Xhon Adamsi shprehej se kjo do të ishte epoka më e paharrueshme në historinë e Amerikës. Dhe e gjithë kjo nuk kishte ardhur si rrufe në qiell të pastër; se ndërsa ndeshjet politike dhe ushtarake ishin bërë mjaft të mprehta edhe mendimi përparimtar i intelektualëve të shquar, kishte nisur me kohë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mjaft të përmendim veprën e Tomas Peinit “Gjykimi i shëndoshë”, ku ai pa drojë, jo vetëm këmbëngulte në pavarësinë e kolonive nga Anglia, por edhe tallej me vetë mbretin George III, dhe trashëgiminë e fronit, duke vënë në dukje se “të gjithë maskarenjtë me kurorë të kësaj bote” nuk vlenin sa një njeri i ndershëm.

Ndofta pikërisht këtu, pra te liria e mendimit është edhe burimi i suksesit të fuqizimit këtij vendi të madh të cilin edhe pas 205 vjetësh, në fjalën e parë presidenciale, Ronald Regani e përkufizoi se “…Duhet kuptuar se asnjë arsenal i botës apo asnjë armë e këtij arsenali nuk është aq e fuqishme sa vullneti dhe forca morale e njerëzve të lirë” ().

Sot, askush nuk mund të ketë hijen më të vogël të dyshimit se kjo Deklaratë me vlera të mëdha historike dhe universale i kaloi dukshëm kufijtë e atij vendit dhe e shtriu ndriçimin e saj në të gjithë rruzullin, duke ndikuar së pari në ndërgjegjësimin e popujve për të mbrojtur me çdo kusht të drejtat e tyre themelore dhe sidomos lirinë apo për të qenë plotësisht i respektuar në shoqëri.

Dhe ndofta qysh nga koha e nxënësit të Platonit, filozofit trakas Aristotel, që besonte aq shumë te morali, pikërisht në Deklaratën e 4 korrikut u theksua rëndësia e pirustisë trikëmbëshe të qeverisë: pushtetit legjislativ, ekzekutiv, dhe gjyqësor që aq bukur e formuloi më pas Monteskieja.

Por duhet pranuar se kjo Deklaratë, sado parimore të ishte, nuk do të sillte ndryshimet e kërkuara si shkopi magjik. U deshën mjaft përpjekje, madje edhe luftime të përgjakshme, pasi veç Anglisë, hyri në lojë edhe Franca, që kolonitë të fitonin lirinë, të hiqnin skllavërinë, të rimëkëmbej ekonomia, të zgjidhnin ngatërresat me indigjenët vendas, të sigurohej e drejta e votimit, të shtriheshin drejt perëndimit dhe nga 13 koloni të barabarta të shtoheshin në 50 të tilla.

Dhe ajo nga më kryesoret ishte krijimi i një mendësie të re për qeverisjen e vendit, mendësi që populli amerikan duke ndjekur mësimet e baballarëve themelues që Deklaratën e famshme të 17 shtatorit 1787 e shndërruan në Kushtetutë, duke e miratuar përfundimisht në , arriti t`i bindet dhe ta zbatojë më së miri.

Tani SHBA po ndiqnin mësimet e vyera të burrave të mençur si Gjergj Washingtoni, Beniamin Franklini, Xheims Medisoni, Aleksandër Hamiltoni, Xheims Willsoni e Abraham Linkolni që kishte mendimin se “një shtëpi e ndarë më dysh, nuk mund të qëndrojë në këmbë. Edhe qeveria s`ka për ta pasur të gjatë në një vend gjysmëskllavopronar dhe gjysmë të lirë”, etj. etj.

Dhe këta mbetën përjetësisht të nderuar, pasi dinin të zbatonin me drejtësi ligjet, ishin të ndershëm, e vlerësonin edhe njeriun më të thjeshtë (tipik ishte Xhefersoni) dhe nuk kërkonin më shumë pushtet nga sa u jepte Kushtetuta.

Sjell në vëmendje Washingtonin i cili në vitin 1797 u tërhoq pa asnjë rezervë nga jeta politike, pasi nuk pranonte të shërbente më shumë se dy mandate si kryetar shteti. Sot, nuk ka njeri në botë që të mos njohë arritjet e jashtëzakonshme të SHBA në të gjitha fushat. Ajo kudo renditet në krye të rezultateve ekonomike, shkencore, sociale, ushtarake e deri sportive.

Po ashtu për këdo është i qartë roli determinant i këtij vendi të fuqishëm në zhvillimet politike ndërkombëtare. Prandaj edhe ne shqiptarët krenohemi me një aleat strategjik si SHBA, me të cilin jemi pjesëtarë të Aleancës Atllantike që ata drejtojnë.

I dimë dhe nuk i harrojmë kurrë gjithçka ky vend ka bërë për atdheun tonë, qysh nga koha e presidentit të shquar, nobelistit të Paqes Thomas Woodrow Wilson që e përkrahu me zjarr Pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Versajës, e deri luftën trimërore në mbështetje të UÇK – së për çlirimin e Kosovës nga bisha serbomadhe.

Po ashtu, qëndrimi ynë ka qenë në akord të plotë me çdo veprim të ndërmarrë nga SHBA, çka e kemi bërë me vetëdije të palëkundur dhe me besimin se kjo është shprehje e një miqësie të sinqertë dhe shenjë kuptimplotë e mirënjohjes tonë.

Nga ana tjetër, ne shqiptarët dhe sidomos ata që na drejtojnë, kanë ende se ç`të mësojnë nga gjithësa derivoj në dy shekuj e gjysmë nga ajo deklarata e 4 korrikut që pati rrezatim dhe nderim të përbotshëm. Dhe sidomos nga ruajtja e sovranitetit si të gjithë shtetet e tjera, se kështu të vlerësojnë e respektojnë akoma më shumë edhe SHBA.

Po ashtu, mikut pa drojë i duhet thënë e vërteta në sy edhe kur gabon, se vetëm kështu, pa hipokrizi, ai nuk të keqkupton për qëllimin e pastër e të sinqertë. ShBA duhet t`i shprehim gjithë falenderimet tona edhe për atë ndihmë që ka dhënë për shembjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe për ndërtimin e shoqërisë së re demokratike.

Dhe ndër të tjerë, nuk mund të mohohet ajo që kanë bërë përfaqësuesit e DASH dhe sidomos ambasadorët që nga i paharruari Herman Bernstein i viteve 1930 – 1933 i cili asnjëherë nuk i kalonte kufijtë e detyrave të tij, sikundër mund të ketë ngjarë me ndonjë tjetër që ka sjellë mes nesh ngatërresa politike, duke e konsideruar veten guvernator të vendit tonë krenar.

Por politikanët tanë, të kapur fort pas pushtetit që nuk dinë ta lëshojnë, ngurrojnë ta pohojnë këtë. Ashtu sikurse nuk e kanë burrërinë të pranojnë edhe gabimet me popullin e tyre, me të cilin janë sjellë me një arrogancë të turpshme, arrogancë që i ka ngritur ata, e sidomos të rinjtë, në një revoltë sa masive dhe të vendosur, aq edhe paqësore, me synimin e vetëm, ndryshimin e sistemit.

Dhe duhet ditur se askush nuk mund t`i ngatërrojë ata, duke i etiketuar si antiamerikanë, kur është krejt e kundërta. I mirënjohuri në SHBA, mendjendrituri atdhetar Faik Konica, thosh: “Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh, rryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaveraxhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t`i shkulësh”.

Prandaj populli ynë në këto momente ndryshimi, ku kërkohet kjo shkulje nga rrënjët, natyrshëm pret edhe përkrahjen diplomatike e politike të mikut të tij të fuqishëm SHBA.

Burimi: Bota Sot