Federata Italiane e Futbollit ka shfaqur interesim për trajnerin Pep Guardiola për të marrë drejtimin e kombëtares pas largimit të Gennaro Gattusos. Sipas mediave sportive italiane, konkretisht “Gazzetta dello Sport”, tekniku katalanas shihet si dëshira kryesore e drejtuesve të rinj, Paolo Maldini dhe Leonardo.
Guardiola aktualisht është pa skuadër, pasi mbylli një cikël dhjetëvjeçar plot suksese në krye të Manchester Cityt. Ndonëse emrat e Antonio Contes dhe Roberto Mancinit u përfolën fillimisht si kandidatët kryesorë, bisedimet me ta nuk kanë avancuar. Projekti i ri synon të rikthejë Italinë te sukseset e mëdha pas fitimit të Kampionatit Europian në vitin 2021.
Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje mbetet e ndërlikuar, pasi 55-vjeçari ka shprehur më parë dëshirën për të mbajtur një periudhë pushimi përpara se të rikthehet në stol.
