Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, përfaqësuesit e kompanisë MABCO, së bashku me nënkontraktorët e saj, pritet të rikthehen këtë të premte në kantierin e Aeroportit të Vlorës për të vijuar punimet në projekt.
Vendimi i Gjykatës së Lartë i riktheu MABCO-s të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare, duke përmbysur vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjyqësorit dhe duke i hapur rrugë rikthimit të kompanisë në drejtimin e projektit.
Konflikti mes MABCO dhe 2A Group kishte krijuar një ngërç në administrimin e shoqërisë koncesionare, situatë që ndikoi në ritmin e punimeve dhe solli vonesa në realizimin e një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Mbetet për t’u parë nëse rikthimi i MABCO-s në kantier do t’i japë fund mosmarrëveshjes mes palëve dhe do të mundësojë përshpejtimin e punimeve, me synimin për të respektuar afatet e përfundimit të Aeroportit të Vlorës.
