Emrat e ministrave të rinj do të bëhen të ditur sot pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të OBRM-PDUKM-së. Me rikonstruimin e Qeverisë, pothuajse është e sigurt se partia ZNAM do ta humbasë Ministrinë e Drejtësisë, megjithatë nga kjo parti ende nuk kanë komentuar. Ata thonë se do të dalin me qëndrim pasi vendimet të kalojnë në organet partiake.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se në parim është arritur marrëveshje për ndarjen e resorëve, por theksoi se detajet do të publikohen gjatë ditës së sotme. “Nuk kemi diskutuar për zgjidhje konkrete personale dhe as për emra. Në parim kemi marrëveshje për resorët.
Edhe më herët kam thënë se derisa të përfundojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të partisë, nuk do të komentoj as resorët dhe as emrat. Prisni deri nesër rreth orës dhe opinioni do të njoftohet më hollësisht”, deklaroi Mickoski.
Nga ana tjetër, lideri i Venko Filipçe vlerësoi se rikonstruimi i Qeverisë nuk sjell asnjë përfitim për qytetarët, por vetëm vazhdim të pasurimit të individëve dhe ruajtje të status quo-së.
Sipas Filipçes, kjo është vetëm vazhdim i procesit që ka nisur para dy vitesh: varfërimi i vendit, pasurimi i individëve, izolimi dhe shndërrimi i Maqedonisë së Veriut në “qorrsokak të Ballkanit dhe Evropës”. “Ndërrimi i njerëzve nëpër resore dhe zëvendësimi i emrave është krejtësisht i parëndësishëm. Është vetëm zëvendësim i njërit me tjetrin dhe asgjë më shumë.
Qytetarët nuk do të shohin absolutisht asnjë përfitim nga kjo Qeveri e udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Gjithçka do të mbetet status quo, ndërsa cilësia e jetës së qytetarëve do të vazhdojë të përkeqësohet”, tha Filipçe.
