Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar protestat që prej 32 ditësh zhvillohen në sheshe dhe rrugë të vendit, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Berisha vlerësoi veçanërisht pjesëmarrjen e të rinjve, duke e cilësuar lëvizjen si një nga më të rëndësishmet në historinë e vendit.
Sipas tij, kjo gjeneratë po ngrihet kundër asaj që ai e cilësoi si një “diktaturë autoritare”, ndërsa shtoi se shumë pjesë të shoqërisë kanë zgjedhur indiferencën, ndërsa të rinjtë kanë zgjedhur përballjen me kryeministrin Edi Rama. “Dy fjalë për gjeneratën Z. Kjo lëvizje në shumë aspekte është mrekullua me madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve në kohëra.
Aty janë rryma të ndryshme, por ata që janë energjia, ata që janë guximi, shpirti i pamposhtur, aty janë të rinjtë e asaj gjenerate që nuk ka njohur diktaturë, diktaturë totalitare. Është kjo gjeneratë që ngrihet në mënyrën më të fuqishme ndaj një diktature autoritare.
Nëse pjesë e gjerë e shoqërisë ul kokën, nëse dhjetëra e mijëra intelektuale zgjedhin indiferencën, këta të rinj kanë zgjedhur përballjen me të keqen më të madhe që shqiptarët mund të kenë patur në histori, me Edi Ramën” , tha Berisha. Deklaratat e kreut të PD u bënë gjatë fjalës së tij në promovimin e librit “Tirania e Buzëqeshjes” të Ndriçim Kullës
