Partia Demokratike Evropiane ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, ku prej 35 ditësh qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se demokracia nuk duhet t’i frikësohet protestës paqësore, por ta dëgjojë atë.
Në një postim në rrjetet sociale, PDE/EDP shkruan se në ditën e 34-t të protestave në Tiranë, një parullë u bë virale: “Jam e zhgënjyer nga ju”, ishte mesazhi i një vajze të re drejtuar një efektivi të policisë. Sipas Demokratëve Evropianë, ky moment pasqyron ndarjen mes qytetarëve dhe atyre që mbajnë pushtetin.
“Në ditën e 34-t të protestave në Tiranë, një fjali jehon më fort se çdo thirrje: “Jam e zhgënjyer nga ju.” Një vajzë e re ia thotë këtë një efektivi policie dhe, në atë çast, Shqipëria sheh ndarjen gjithnjë e më të thellë mes qytetarëve dhe atyre që janë në pushtet. Demokracia nuk ka frikë nga protesta paqësore. Ajo i dëgjon ato.
Kur institucionet i përgjigjen guximit me forcë, ato nuk rivendosin rendin – ato shkatërrojnë besimin. Evropa duhet të qëndrojë në krah të atyre që protestojnë paqësisht dhe të të rinjve që kanë guximin të mbrojnë demokracinë”, thuhet në reagimin e Demokratëve Evropianë.
