Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka kërkuar nga partitë politike që formimi i institucioneve të reja të bëhet në pako, për të shmangur mundësinë e hapësirës për bllokada. Ai ka thënë se do t’i kërkojë Lëvizjes Vetëvendosje që të ndërmarrë iniciativa për të arritur konsensus me subjektet politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit.
“Unë së pari do të kërkoj prej kryeministrit në këtë radhë, ose Vetëvendosjes, që ta përdorin çdo formë të iniciativave të cilat mund të na sjellin deri në një bashkëpunim, në veçanti me partitë shqiptare sa i përket përzgjedhjes së presidentit, sepse konsideroj që kjo është çelësi, të them ashtu, ose një pikë potencialisht e dobët në krejt këtë procesin që e kemi tash pas zgjedhjeve.”, ka thënë Rashiqi.
Sipas tij, partitë politike duhet të shmangin një tjetër vit të humbur për shkak të krizës politike. “Unë shumë mbështetem në konstatimet strategjike që i bën Bashkimi Evropian.
Pasi që konstatojmë që BE-ja është një cak i pashmangshëm, i vetmi cak që duhet ta kemi të gjithë ne politikanët dhe të gjitha sistemet në Ballkan, atëherë fjalët e tyre, kur thanë që viti 2025 ka qenë vit i humbur, mua personalisht më kanë prekur, sepse nuk po dëshiroj që ne si institucione të kemi vite të humbura për shkak të krizave politike.
Prandaj, ta shmangim konstatimin e radhës që edhe viti 2026 të konsiderohet vit i humbur.” , ka deklaruar ai. Rashiq u ka bërë thirrje partive politike që të lënë anash përplasjet dhe të ofrojnë bashkëpunim, pasi sipas tij, dështimi për të formuar institucionet do të ishte i pajustifikueshëm.
“Po të them të vërtetën, nëse nuk ka zgjidhje tani, atëherë me të vërtetë ne politikanëve po na duhet një ligj i veçantë, një komision i veçantë, ku psikiatri duhet me qenë kryesues i komisionit. Me të vërtetë nuk ka një shpjegim tjetër, sepse kjo për mua do të ishte personalisht një dështim i sistemit në të cilin besoj tash e 20 vjet.” , ka thënë Rashiq.
