Raporti i PE-së kërkon reforma urgjente në Kosovë: Sundimi i ligjit

0%

Parlamenti Evropian ka miratuar raportet e reja për zgjerimin e Bashkimit Evropian për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar ecurinë e tyre në procesin e integrimit evropian. Për Kosovën, eurodeputetët kanë konstatuar mungesë përparimi krahasuar me raportin e mëparshëm dhe kanë shprehur shqetësim për ngërçin politik që ka penguar funksionimin e plotë të institucioneve.

Raporti për Kosovën u miratua me 412 vota pro, 174 kundër dhe 58 abstenime. Në të thuhet se eurodeputetët e vlerësojnë angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por shprehin shqetësim për pamundësinë e formimit të institucioneve funksionale për një periudhë të gjatë kohore.

Parlamenti Evropian i bën thirrje autoriteteve kosovare që të përshpejtojnë reformat e nevojshme për integrimin evropian, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, si dhe në luftën kundër korrupsionit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në raport theksohet se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, mbeten faktorë vendimtarë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “

Eurodeputetët përgëzojnë angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj aplikimit të vendit për anëtarësim në BE, ndërsa shprehin shqetësim për pamundësinë e saj për të formuar një legjislaturë dhe qeveri funksionale për më shumë se një vit. Qeveria e Kosovës të përshpejtojë reformat që lidhen me BE-në, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, lirive themelore dhe luftës kundër korrupsionit.

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit mbeten thelbësore për ambiciet e Kosovës për në BE”, thuhet në raport. Sa i përket vendeve të tjera të rajonit, eurodeputetët vlerësuan se Mali i Zi synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, ndërsa Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.

Për Bosnje dhe Hercegovinën, Parlamenti Evropian u bëri thirrje udhëheqësve politikë që të tejkalojnë bllokadat politike dhe të ripërtërijnë angazhimin e tyre për reformat dhe procesin e integrimit evropian.

Raportet e Parlamentit Evropian përbëjnë një vlerësim të rëndësishëm politik për progresin e vendeve aspirante, megjithëse vendimi përfundimtar për zgjerimin e Bashkimit Evropian mbetet në duart e shteteve anëtare./Telegrafi.

Burimi: Telegrafi