Qytetarët nisin peticion për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë

0%

Një grup qytetarësh ka nisur një peticion online , përmes të cilit kërkohet ndërmarrja e masave të menjëhershme institucionale për adresimin e problemit të qenve endacakë në vend.

Sipas iniciuesve, peticioni synon të nxisë veprime dhe koordinim ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe atyre lokal, pasi, sipas tyre, politikat aktuale të zbatuara nga komunat nuk kanë arritur të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme për këtë çështje.

Në përmbajtjen e peticionit thuhet se kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, e cila do të garantonte sigurinë publike, por njëkohësisht edhe trajtim dinjitoz dhe human të kafshëve. Iniciuesit theksojnë se peticioni nuk ka për qëllim cenimin apo abuzimin e të drejtave të kafshëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Përkundrazi, kërkojmë implementimin e politikave dinjitoze dhe efektive” – thuhet në njoftimin e tyre. Peticioni u është drejtuar institucioneve kryesore të vendit, përfshirë Presidencës, Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të gjithë kryetarëve të komunave, me kërkesën që të ndërmarrin veprime të koordinuara dhe të qëndrueshme për zgjidhjen e kësaj problematike.

Qytetarët që dëshirojnë ta mbështesin peticionin mund ta bëjnë këtë duke e nënshkruar atë në platformën online. Pas nënshkrimit, ata duhet ta konfirmojnë pjesëmarrjen përmes lidhjes (linkut) që u dërgohet në adresën e tyre elektronike (email). Organizatorët bëjnë të ditur se pa këtë konfirmim, nënshkrimi nuk regjistrohet si i vlefshëm në peticion.

Problemi me qentë endacakë në Kosovë vazhdon të mbetet një prej sfidave më të mëdha për sigurinë publike. E veçanërisht në Prishtinë, numri i qenve endacakë mbetet i lartë, ku qytetarët raportojnë vazhdimisht raste të sulmeve dhe lëvizjes së tufave të qenve në hapësira publike.

Në muajin prill të këtij viti, një 15-vjeçare mbeti e lënduar për shkak të sulmit nga qentë endacakë brenda hapësirave të QKUK-së. Ndërsa, në shkurt, një grua tjetër është sulmuar nga qentë endacakë, po ashtu brenda oborrit të QKUK-së në Prishtinë. E sulmuara ishte një doktoreshë shtatzënë.

Pas kësaj, Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, ka iniciuar formimin e shtabit emergjent si reagim ndaj situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë brenda kampusit të këtij institucioni. Këto nuk ka qenë rastet e vetme të shënuar kohëve të fundit, KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë problematikë. Raportimet e tjera mund t’i lexoni KËTU.

Në anën tjetër, sipas një projekti që u bë publik në mesin e vitit 2023 nga Komuna e Prishtinës, për të trajtuar problemin e qenve endacakë në kryeqytet, kushdo që adopton një qen endacak ka të drejtë për një subvencion mujor prej 50 eurosh nga Komuna e Prishtinës. Mirëpo, edhe ky projekt solli problematika të tjera, lidhur me trajtimin e qenve që merren nga qytetarët për t’u adoptuar.

Burimi: Kallxo