Kjo e shtunë shënoi ditën e 42-të e tubimit përpara Kryeministrisë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe gjithë klasës politike. Protestuesit kanë nisur të grumbullohen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, teksa më pas marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku u vendosën për vijimin e tubimit.
Përpara Kryeministrisë është propozuar që tubimi një ditë të bëhet paradite. “Protesta të nisë për një ditë paradite. Në 23 korrik marshim në nga sheshi Skënderbej te Parlamenti”, propozuan protestuesit. Ndër kërkesat e tyre është edhe krijimi i një qeverie teknike dhe largimi i të gjithë klasës së vjetër politike.
Sot është thirrur protestë kombëtare, e njoftuar edhe një ditë më parë në tubim. Protestuesit si zakonisht, pas fjalimeve e thirrjeve, nisën marshimin drejt rrugëve të kryeqytetit.
