Klubi kryeqytetas, Prishtina ka njoftuar zyrtarisht se ka nënshkruar në mënyrë të përhershme me mesfushorin me tipare sulmuese, Albin Krasniqi. Pas një huazimi prej gjashtë muajve nga ukrainasit e Kolosit, Prishtina ka vendosur ta “blejë” kartonin e djaloshit nga Kaçaniku.
Kështu, sot (e mërkurë), klubi më i trofeshëm kosovar ka njoftuar nënshkrimin e kontratës me Krasniqin, i cili edhe në të kaluarën ka luajtur te Prishtina duke fituar edhe trofe. “Rrugëtimi i Albin Krasniqit me fanellën bardhekaltër vazhdon.
Mesfushori ofensiv ka nënshkruar kontratë me Prishtinën, pasi në pjesën e dytë të sezonit të kaluar ishte pjesë e skuadrës si i huazuar nga klubi ukrainas Kolos”. “Krasniqi rikthehet zyrtarisht te bardhekaltërit, ekip me të cilin fitoi Kupën e Kosovës në vitin 2025. Gjatë pjesës pranverore të sezonit të kaluar, ai regjistroi 16 paraqitje, shënoi 2 gola dhe kontribuoi me 1 asistim”.
“Në total, Albini ka zhvilluar 77 ndeshje me fanellën e Prishtinës, në të gjitha garat”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.
