Pretendime për konflikt interesi, asistenti i votuar në Senat të

0%

Ylli Murati u votua për asistent në Universitetin e Prishtinës teksa në të gjitha punimet shkencore me të cilat aplikoi për këtë pozitë ka bashkautor edhe kryetarin e komisionit vlerësues të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN), dhe të tjerë. Murati u votua për emërim në asistent në mbledhjen e Senatit të UP-së në fund të muajit prill 2026.

Kundërkandidati Mazllum Kamberi ka raportuar në KALLXO.com pakënaqësitë rreth procesit të vlerësimit nga komisioni i Fakultetit. Ndërsa, Naser Kabashi është kryetar i komisionit vlerësues të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit për pozitën ku aplikoi Murati dhe bashkautor me të në punime shkencore, ku përpos tyre ka edhe autorë të tjerë.

Ky komision u përbë edhe nga profesorët Cenë Krasniqi dhe Vlora Shatri. Në raportin e komisionit vlerësues të FIN të datës , Mazllum Kamberi mori 62.49 pikë, të cilat u korrigjuan pas një “lëshimi teknik” në 65.49 pikë, kurse Ylli Murati 76 pikë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Si dhe ka një kandidat të tretë që sipas raportit të vlerësimit nga komisioni nuk i ka plotësuar kushtet bazë, “sepse nuk ka shkollim adekuat për lëndët e shpallura në Konkurs.” Në këtë raport, komisioni arsyetohet se Murati ka treguar rezultate të mira, ka notë mesatare më të lartë krahasuar me kandidatët e tjerë, ka qenë i angazhuar prej 3 vite në UP, si dhe studimet e doktoraturës po i kryen në Portugali.

Kurse, për Kamberin komisioni ka konstatuar se i plotëson kushtet bazë që kërkohen, mirëpo ka notë mesatare më të ulët se kandidati i propozuar, nuk ka pasur angazhime të mëhershme në mësimdhënie dhe se ka regjistruar studimet e doktoraturës në Universitetin Sv Kiril dhe Metodij në Shkup.

Konkursi u hap më dhe fjala është për pozitën nr. 4 të asistentit në FIN për lëndët: Teknologjia e Betonit, materialet ndërtimore, projektimi i deponive, Fizika e Ndërtimit, Teknologjia e Betonit, Materialet Polimere dhe Aplikimi në Inxhinierinë e Ambientit, Materialet e Ndërtimit I dhe Materialet e Ndërtimit II.

Pretendimi për “mungesë paanshmërie” Mazllum Kamberi vlerëson se procesi i përzgjedhjes së kundërkandidatit për pozitën e asistentit në FIN është “proces me shumë parregullsi serioze përgjatë gjithë rrjedhës, nga raporti vlerësues e deri te vendimi i Senatit të UP-së.” Në lidhje me punimet shkencore me të cilat ka aplikuar, Kamberi thot se ai ka publikime si autor i parë dhe autor korrespondent, për dallim nga Murati, i cili nuk ka ndonjë si autor i parë sipas raportit të komisionit vlerësues.

Ai përmend disa parregullsi të cilat më vonë janë trajtuar në komision të ankesave në Fakultet sa i përket përcaktimit të pikëve në vlerësimin e punimeve shkencore me të cilat kanë aplikuar.

“Duke pasur parasysh këto parregullsi dhe duke parë ndërlidhjen e drejtpërdrejtë akademike e profesionale ndërmjet kundërkandidatit dhe kryetarit të Komisionit Vlerësues, kjo çështje merr dimension edhe më serioz dhe krijon dyshim të arsyeshëm se kjo ndërlidhje mund të ketë ndikuar në procedurë.” – ka thënë Kamberi për KALLXO.com.

Sipas Kamberit, ai e ka parë dosjen e kandidatit në të cilën, sipas tij, Murati figuron bashkë me kryetarin e komisionit vlerësues, Naser Kabashin, me rol kryesor në pothuajse të gjitha kontributet kryesore të listuara të tij. Edhe KALLXO.com ka verifikuar se Murati njërin nga bashkautorët në punimet shkencore me të cilat ka aplikuar e ka Naser Kabashin.

Po ashtu, emri i Kabashit figuron si pjesëmarrës apo prezantues edhe në konferenca ndërkombëtare me Muratin dhe të tjerë, pastaj ka edhe disa vendime për grupe punuese në projektet në mes FIN dhe institucioneve publike, ku kishin bërë pjesë të dy me të tjerë. Murati është bashkautor i jashtëm në FIN nga viti 2023 e deri më .

“Kjo krijon së paku perceptim objektiv të mungesës së paanshmërisë dhe kërkon verifikim institucional për konflikt të mundshëm interesi. Nuk mund të them unë përfundimisht se kjo ndërlidhje ka ndikuar në rezultat, sepse këtë duhet ta konstatojnë organet kompetente.” – ka deklaruar Kamberi.

Në lidhje me këto pretendime për konflikt të mundshëm interesi mes Muratit e Kabashit, KALLXO.com i ka pyetur të dy dhe anëtarët tjerë të komisionit. Profesori Kabashi e mohon se ekziston konflikt interesi në këtë rast.

“Kandidati nuk është në asnjë lidhje gjaku të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë me komisionin, prandaj nuk është kërkuar dhe nuk ka patur nevojë lidhur me këtë, meqenëse kandidati ka qenë pjesë e angazhuar në vitet e fundit në Departament dhe atë në lëndë të ndryshme, tek profesorët e ndryshëm.” – arsyetohet Kabashi.

Për Kabashin, p unimet shkencore janë rezultat i punës së grupit e jo vetëm i kandidatit dhe se kontributi i secilit është i konsiderueshëm.

“Vlerësimi i kandidatit nuk përmban vetëm komponentën si pjesë e grupit në punimet shkencore, por edhe komponente të tjera përcjellëse, siç janë: nota mesatare, angazhimi apo përvoja në fakultet, puna në projekte të lidhura me FIN, e të tjera.” – ka shtuar ai.

Se a kishin pasur ndikim edhe bashkëpunimet e tyre në projekte dhe grupe punuese në kuadër të FIN, Kabashi thot se “pjesëmarrja në projekte ku unë kam qenë i takon periudhës kur kandidati nuk ka aplikuar në konkurs, e që përsëri nuk është i vetmi, por është pjesë e grupit punues.” “Projektet janë realizuar nga një grup i gjerë ku secili ka patur pjesën e vet për hulumtime.

Puna në grup në kuadër të FIN është e mbështetur me vendimet e FIN.” – ka thënë Kabashi. Në anën tjetër, Ylli Murati ka thënë për KALLXO.com se me rastin e publikimit të rezultateve e kishte kuptuar se Kabashi ishte kryetar i komisionit vlerësues.

“Procesi i formimit të komisioneve vlerësuese është kompetencë ekskluzive e institucionit dhe nuk është pjesë e informacionit që u komunikohet aplikantëve. Unë kam aplikuar bazuar në kriteret e publikuara të konkursit.” – ka thënë Murati.

Për bashkëpunimet në punime shkencore e grupe punuese me Kabashin, Murati shprehet se Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ka procedura të qarta për menaxhimin e konfliktit të interesit. “Bashkautorësia shkencore është një praktikë e zakonshme dhe e inkurajuar në akademi.

Të gjitha projektet e grupeve punuese janë thirrje e FIN-it, si punë grupore e shumë asistentëve dhe profesorëve.” – ka shtuar ai. Murati thot se nuk mund të flasë për vendimmarrjen e komisionit vlerësues me arsyetimin se nuk është kompetencë e tij. “Mund të them vetëm se kam aplikuar me dokumentacionin e kërkuar dhe kam lënë procesin të ndjekë rrugën e vet institucionale.

Nëse ka dyshime për rregullshmërinë, institucioni është adresa e duhur. ” – ka potencuar ai. Kurse, anëtari tjetër i komisionit vlerësues, Cenë Krasniqi, e ka mohuar se ndonjë anëtar i komisionit ka deklaruar që ka konflikt interesi me ndonjë kandidat. “Fakti se kandidati Ylli Murati është bashkautor në punime me prof. Naser Kabashi, nuk ka pasur asnjë ndikim në vlerësim.

Përndryshe kishin reaguar dy anëtarët e tjerë të komisionit.” – ka thënë profesori Krasniqi. Krasniqi thot se puna ekipore mes profesorit me përvojë dhe kolegëve të rinj në punime shkencore preferohet si përkrahje e kuadrove të reja.

“Sigurt që nuk ka konflikt interesi pasi profesori Kabashi në këtë rast nuk ka pasur asnjë interes apo përfitim personal nga këto punime pasi i njëjti e ka titullin profesor i rregullt si dhe me faktin se profesori ka shumë punime ku është bashkautor me shumë kolegë të tjerë si brenda fakultetit edhe jashtë tij.” – ka theksuar ai.

Tutje, profesoresha Vlora Shatri thot se fakti që Murati ka punime shkencore në bashkautorësi me profesorin Kabashi “nuk ka pasur asnjë ndikim në vlerësimin tim.” “Unë kam vlerësuar vetëm dokumentacionin e dorëzuar nga kandidatët në raport me kriteret e përcaktuara në konkurs dhe aktet përkatëse të Universitetit.

Punimet shkencore dhe dokumentacioni tjetër i dorëzuar janë trajtuar në kuadër të kritereve të konkursit dhe jo mbi bazën e marrëdhënieve paraprake profesionale të kandidatit me ndonjë anëtar të komisionit.” – është shprehur Shatri.

Shatri thot se gjatë procesit të vlerësimit nuk ka pasur dijeni për angazhimin e Ylli Muratit në grupe punuese ku ka qenë edhe profesori Naser Kabashi dhe se kjo rrethanë nuk ka qenë pjesë e vlerësimit të saj.

“Në çdo rast, edhe sikur një angazhim i tillë të ketë ekzistuar, ai nuk do të kishte pasur asnjë ndikim në vlerësimin tim, pasi unë kam vlerësuar vetëm dokumentacionin e dorëzuar nga kandidatët në raport me kriteret e përcaktuara në konkurs dhe aktet përkatëse të Universitetit.

Pjesëmarrja në grupe punuese brenda fakultetit është pjesë e angazhimeve të zakonshme akademike dhe institucionale, por nuk ka qenë kriter vlerësimi.” – ka shtuar ajo.

Ankesa deri në Senat Mazllum Kamberi për shkak të pakënaqësive në lidhje me procedurën e vlerësimit për asistent në FIN përveç që u ankua ndaj propozimit të komisionit vlerësues në komision të ankesave, ai u ankua edhe në Këshill të Fakultetit.

Pasi Këshilli i Fakultetit i ka refuzuar ankesën, Kamberi thot se më është ankuar edhe në komisionin e ankesave në Senat të UP-së ndaj vendimit për miratimin e emërimit të Ylli Muratit asistent. Deri më sot, më , deklaron se nuk ka marrë ndonjë përgjigje a vendim nga ky komision.

“Pres që të trajtohen çështjet kryesore: raporti vlerësues i paqartë, mungesa e pikëzimit individual, mosvlerësimi i publikimeve shkencore, përdorimi i mundshëm i të njëjtave dokumente në më shumë se një kategori, moszbatimi i rekomandimeve të komisionit të ankesave, kufizimi i qasjes në dokumentacion, konflikti i mundshëm i interesit.” – ka thënë Kamberi.

Ai thot se “kjo çështje ka shkaktuar dëm në karrierën akademike, humbje kohe dhe ngarkesë të madhe personale.” “Nuk e ndjek për shkak të nevojës personale për pozitën, sepse jam i angazhuar profesionalisht dhe jam duke punuar në sektorin privat.

E ndjek për shkak të parimit, barazisë në konkurrim dhe nevojës që procedurat akademike në një universitet të mos varen nga lidhjet, por nga dokumentet, kriteret dhe vlerësimi i drejtë.” – ka theksuar ai.

Rektori Arben Hajrullahu në lidhje me këtë rast ka thënë për KALLXO.com se sa i përket bashkautorësisë në punime shkencore të kandidatit me kryetarin e komisionit vlerësues “në aspektin formal kjo nuk është e sanksionuar.” “Në aspektin joformal do të ishte e udhës, e mirë, që aty ku është e mundur, anëtarët e komisioneve vlerësuese me u tërhjekë nga vlerësimet ku janë bashkautorë me kandidatët, meqenëse të paktën e lënë një shije jo të mirë, në kuptimin, të themi e një lloj konflikti interesi në dukje, kur je ti vetë bashkautor me kandidatin dhe tani duhet me vlerësu kandidatin.

Kjo është praktika etike me standarde ndërkombëtare kur vjen te vlerësimi i kontributit shkencor.” – ka deklaruar Hajrullahu. Hajrullahu ka theksuar se i fton kundërkandidatët që në të gjitha rastet t’i ndjekin procedurat ankimore deri në vlerësimin meritor. “Nëse ka bazë, atëherë e rikthejnë vendosjen në Senat…

Ju e dini se si rektor, në raste të veçanta mund t’i propozoj Senatit me ia marrë kompetencat Fakultetit dhe me kriju një komision tjetër, mbase edhe me përbërje ndërkombëtare, siç e kemi rastin “Filozofiku” dhe ky komision e bën vlerësimin nga e para.” – shtoi ai.

“Në të gjitha ato raste, kur dëshmohet që nuk ka pas vlerësim të bazuar në ligj, pra është cenu parimi i ligjshmërisë dhe parimi i meritokracisë, do të bëj çdo gjë të mundur për me tentu m’i rivënë këto parime në jetë.” – ka theksuar ai. Kamberi ka paralajmëruar se rastin do ta dërgojë edhe në Gjykatë Administrative e Prokurori.

Burimi: Kallxo