Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës, e cila ka identifikuar dhe intervistuar një 25-vjeçar nga Deçani, nën dyshimin për armëmbajtje të paautorizuar, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Stacioni Policor në Deçan ka pranuar informacione se Hajdar Tahiraj (25-vjeç) kishte publikuar në Facebook fotografi ku shfaqej me një armë në dorë. Pas verifikimeve, i dyshuari është identifikuar dhe është paraqitur në stacionin policor, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Sipas burimeve, gjatë deklarimit të tij, Tahiraj ka thënë se fotografia ishte realizuar në vitin 2023, në Bjeshkën e Baballoqit, gjatë një shëtitjeje të organizuar. Ai ka deklaruar se arma nuk ishte e tij, por i përkiste një personi të panjohur, duke shtuar se në atë aktivitet kishin qenë të pranishëm shumë persona.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, me urdhër të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Pejë, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë për të verifikuar rrethanat e plota të rastit dhe identitetin e personit që, sipas deklarimit të tij, kishte në pronësi armën e shfaqur në fotografi.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
