Selektori i Algjerisë, Vladimir Petkoviq, do të përballet (nesër 05.00) me Zvicrën, në të 16-shin e finales së Kampionatit Botëror. Një emocion i veçante për Petkoviqin sepse për një kohë e ka drejtuar edhe Zvicrën. “Vlladimir Petkoviq stërviti ekipin kombëtar zviceran për shtatë vjet.
Në Vankuver, ai do të përballet me ish-ekipin e tij si selektori i ekipit kombëtar algjerian”, ka shkruar mes të tjera media zvicerane “Bluewin”. Kur e pyetën nëse njohja e tij me Zvicrën është një avantazh, ai përgjigjet: “Bota e futbollit është bërë universale. Të gjithë i njohin të gjithë. Nuk ka më sekrete. Pres një ndeshje të vështirë.
Nëse duam të fitojmë, duhet të japim 120 përqind.” Lidhur me dobësinë mbrojtëse të ekipit të tij (7 gola të pësuar në tre ndeshje grupi), ai thotë: “Kemi pësuar shumë gola, por 5 nga 7 golat erdhën nga jashtë zonës së penalltisë”. Gjëja pozitive është se shënuam edhe pesë gola. Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi, ashtu siç kemi bërë nga ndeshja në ndeshje”.
“Kam kaluar shumë mirë gjatë shtatë viteve. Dhe natyrisht është kënaqësi të shoh ish-lojtarët e mi”, tha ai. Ai nuk po e konsideron mbulimin e Granit Xhakës nga një lojtar tjetër: “Zvicra është më e rrezikshme si ekip sesa si lojtar individual. Graniti është një njeri i shquar, një lojtar i nivelit të lartë dhe jam i lumtur ta shoh.
Sigurisht, duhet të jemi vigjilentë kur Graniti ka topin, por edhe me të tjerët. Forca e tyre është uniteti i tyre”, tha Petkoviq.
