Mesfushori maroken Azzedine Ounahi është shndërruar në një nga historitë më frymëzuese të futbollit botëror. Heroi i fitores 3:0 të Marokut ndaj Kanadasë në të tetën e finales së Kupës së Botës, ku realizoi dy gola, pesë vite më parë vlente vetëm 70 mijë euro dhe luante në kategorinë e tretë të futbollit francez.
Maroku u kualifikua për herë të dytë radhazi në çerekfinale të Kampionatit Botëror, ndërsa Ounahi ishte figura qendrore e triumfit në Huston. “Historia e tij nis në një lagje punëtore të Kazablankës, ku futbolli ishte shumë më tepër sesa një lojë.
Në moshën 10-vjeçare ai iu bashkua akademisë së Raja Club Athletic, ndërsa pesë vite më vonë kaloi në Akademinë prestigjioze Mohammed VI në Salé. Aty mori jo vetëm përgatitje të nivelit të lartë futbollistik, por edhe arsimim, duke u formuar si sportist i kompletuar.
Pikërisht në këtë akademi ai përsosi driblimin dhe kontrollin e topit në hapësira të ngushta, cilësi që e ndihmuan të kompensonte mungesën e forcës fizike ndaj kundërshtarëve më të fuqishëm. Në vitin 2018, në moshën 18-vjeçare, Ounahi u transferua në Francë te RC Strasbourg Alsace. Megjithatë, aventura evropiane nuk nisi sipas pritjeve.
Ai nuk arriti të siguronte vend në ekipin e parë dhe u aktivizua kryesisht me skuadrën rezervë”, ka shkruar media kroate “24 sata”. “Firmosa një marrëveshje paraprake me bindjen se më vonë do të nënshkruaja kontratë profesionale. Isha i sigurt se do të ndodhte, por gabova. Ky është futbolli.
E pranova situatën, por vazhdova të besoja se i kisha cilësitë për të luajtur në Ligue 1 ose Ligue 2″, kujtonte më vonë Ounahi. Besimi në aftësitë e tij e shtyu të merrte një vendim të guximshëm. Në verën e vitit 2020, si lojtar i lirë, ai iu bashkua klubit të kategorisë së tretë franceze, US Avranches.
Në 27 ndeshje shënoi pesë gola dhe u bë lojtari më i rëndësishëm i skuadrës, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të elitës. Në korrik të vitit 2021, Angers SCO e transferoi për vetëm 70 mijë euro, një lëvizje që ndryshoi rrënjësisht karrierën e tij.
Shpejt u bë titullar dhe paraqitjet e tij nuk kaluan pa u vënë re nga ish-përzgjedhësi i Marokut, Vahid Halilhoxhiq, i cili e grumbulloi për 2021 në Kupën e Kombeve të Afrikës. Debutoi kundër Ganës, ndërsa në ndeshjet vendimtare të “play-off”-it për Kupën e Botës ndaj Republikës Demokratike të Kongos shënoi dy gola dhe dha një asistim në fitoren 4:1, duke siguruar një vend në Botëror.
Në Kupën e Botës 2022, nën drejtimin e Walid Regragui, Ounahi u bë një nga shtyllat e mesfushës së Marokut së bashku me Sofyan Amrabat. Në përballjen ndaj Spanjës në të tetën e finales ai përshkoi gati 15 kilometra, ndërsa paraqitja e tij mori vlerësime nga e gjithë bota e futbollit.
Në çerekfinalen historike ndaj Portugalisë ishte lojtari maroken me më shumë driblime të suksesshme dhe duele të fituara, duke u shndërruar në simbol të “Luanëve të Atlasit”. Pas Botërorit, telefonat në zyrat e Angers nuk pushuan së rëni. Në janar të vitit 2023 ai u transferua te Olympique de Marseille për tetë milionë euro.
Edhe pse shënoi në debutim kundër Nantesit, konkurrenca e fortë nuk i lejoi të siguronte një vend të përhershëm në formacion. Më pas u huazua te Panathinaikos për sezonin 2024/25, ku zhvilloi paraqitje të shkëlqyera, ndihmoi skuadrën të përfundonte nënkampione dhe u zgjodh lojtari i sezonit nga tifozët.
Në verën e vitit 2025 ai firmosi kontratë pesëvjeçare me Girona FC për gjashtë milionë euro, duke shënuar gol që në debutim kundër Athletic Bilbaos. Sot, Azzedine Ounahi është një nga liderët e kombëtares së Marokut.
