Shpërndaje në: Kupa e Botës ka arritur në fazën që kush pëson humbje kthehet në shtëpi. Dhe presioni vazhdon të rritet për çdo minutë. Sa i takon presionit, asgjë nuk mund të krahasohet me gjuajtjet e penalltive. Lojtarët dhe portierët e rraskapitur dalin përballë një kundër një. Dhe nga ballafaqimi i tensionuar varen shpresat dhe ëndrrat e vendeve të tera.
Dy prej katër ndeshjeve të para të fazës nokaut të Botërorit janë vendosur me penallti. Maroku e mposhti Holandën, Paraguai e mundi Gjermaninë. Një humbje mund të nënkuptojë turpërim. Pritja nga portieri apo realizimi i penalltisë së fundit sjell lot gëzimi për miliona njerëz.
Ky lloj presioni mund të arrijë në nivele “çnjerëzore”, thotë Geir Jordet, profesor në Shkollën Norvegjeze të Shkencave Sportive dhe autori i një libri për anën psikologjike të gjuajtjes së penalltive. “I vetmi emocion për të cilin të gjithë bien dakord se është i pranishëm, është ankthi”, ka thënë Jordet për AP. Priten më shumë gjuajtje penalltish, më shumë presion, më shumë ankth.
Në Kupën e Botës 2022 pesë ndeshje u vendosën me penallti, që ishte rekord. Me penallti u vendos edhe finalja. Beteja e tensionuar zhvillohet në distancë prej 11 metrash. Janë pika e bardhë dhe vija e portës. Penalltitë janë prezantuar në futboll në vitin 1970 dhe kanë vendosur disa prej turneve më të mëdhenj.
Finalja e parë e Botërorit e vendosur me penallti ishte ajo e vitit 1994, kur Brazili fitoi ndaj Italisë. Roberto Baggio dërgoi topin mbi traversë në gjuajtjen e fundit, në një prej momenteve më ikonike të futbollit. Disa i ekzekutojnë goditjet shpejt. Disa të tjerë ndalen, marrin frymë thellë para se t’i drejtohen topit. Disa vrapojnë dhe godasin fuqishëm.
Të tjerë presin që fillimisht portieri të bëjë lëvizjen në njërin krah. Ai që gjuan penalltinë përballet me presionin më të madh në atë moment sepse pritet të shënojë, ka theksuar Jordet. Ka shumë hulumtime për penallti. Një prej tyre tregon se ata që nuk presin shumë pas fishkëllimës së gjyqtarit e humbin më shpesh penalltinë se ata që presin prej dy deri në pesë sekonda.
Dyshohet se kjo ndodhë sepse ata që nuk presin thjesht duan ta përfundojnë këtë situatë stresuese. “Duhet guxim në atë moment”, thotë sulmuesi i SHBA-së, Christian Pulisic. “Nuk është e lehtë. Portierët po bëhen gjithnjë e më të mirë”. Portierët i kanë tri zgjedhje themelore. Të hidhen majtas, të hidhen djathtas ose të qëndrojnë në mes në një lojë parashikimi me hamendje.
Portieri i Marokut, Yassine Bounou, bëri diçka krejt ndryshe. Në pritjen vendimtare ndaj Holandës, ai lëvizi në të djathtë, por duke qëndruar në këmbë. Dhe e përdori dorën e majtë për të larguar lehtësisht goditjen nga Crysencio Summerville që po gjuante në cepin e sipërm. Nëse Bounou do të hidhej, topi do ta kalonte lehtësisht. Ka shumë gjëra që ndikojnë në një penallti.
Përfshihen edhe lojëra të pandershme si hedhja e topit, fyerja verbale dhe në raste edhe përballja fizike. Bounou siguroi fitoren për Marokun, por Emiliano Martinez i Argjentinës vlerësohet mjeshtri i lojërave mendore. “Të gjithë janë të ndryshëm. Çdo portier është i ndryshëm, të gjithë kanë mënyrat e tyre”, ka theksuar portieri i Anglisë, Jordan Pickford.
Edhe zgjedhja e lojtarëve që do të gjuajnë penallti është “tregim në vete” dhe ka rreziqet për trajnerin dhe gjithë ekipin. Është ekuilibër delikat mes analitikës, përvojës dhe ndjenjës së brendshme. Disa lojtarë janë të padiskutueshëm. Franca për shembull nuk mendohet të gjuajë penallti pa Kylian Mbappe. Apo Argjentina pa Lionel Messin.
Lojtarët që gjuajnë penalltitë duhet të zgjedhen me kujdes dhe pas një diskutimi paraprak. Pasi Gjermania dhe Paraguai ishin baras pas pesë përpjekjeve, kapiteni i Gjermanisë, Joshua Kimmich i pyeti shokët e ekipit se kush dëshironte të gjuante penalltinë e gjashtë. Jonathan Tah mori përgjegjësinë për penalltinë e parë në karrierë dhe dërgoi topin mbi traversë.
