Drejtori sportiv i Partizanit, Agim Ibrahimi, është drejt largimit nga klubi i kuq. Top Channel ka arritur të konfirmojë nga burime pranë klubit e ish-sulmuesi i ka paraqitur dorëheqjen presidentit Gazment Demi.
Stafi drejtues kishte nisur punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri, por duket se marrëdhënia mes drejtuesve, që te Partizani ka qenë thuajse gjithnjë problem, ka bërë që Ibrahimi të bëjë një hap pas dhe të rishikojë pozicionin e tij.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se Ibrahimi ka kërkuar që disa vendime të lihen në dorën e tij dhe të mos ketë ndërhyrje, por koha ka treguar se kjo nuk ishte e realizueshme. Kështu, Ibrahimi ka paraqitur dorëheqjen dhe ka vendosur të ndajë rrugët me Partizanin pas vetëm disa muajsh bashkëpunim, teksa fjala e fundit i mbetet presidentit Demi.
Mbetet të shihet nëse Ibrahimi karrierën e tij do ta vijojë brenda apo jashtë trojeve shqiptare, teksa edhe Partizani do të duhet të kërkojë një tjetër drejtor sportiv. Tre të fundit ishin Marini, Abilaliaj dhe së fundmi Ibrahimi.
