Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partitë politike kanë nisur lëvizjet e para për të siguruar mbështetjen e nevojshme për formimin e institucioneve të reja. Tashmë, fokusi është zhvendosur te negociatat mes subjekteve politike dhe mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje qeverisëse.
Në një situatë ku çdo votë dhe çdo aleancë mund të jetë vendimtare, mbetet e hapur dilema se cilat do të jenë kompromiset që partitë do të pranojnë dhe nëse do të ketë një marrëveshje mes tyre apo një zgjatje të ngërçit politik. Cila parti ka më shumë gjasa të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe cilat do të jenë kushtet e mundshme të këtij bashkëpunimi?
Në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli analisti politik Gani Qarri, i cili u shpreh se, me fillimin e bisedimeve mes partive, shpreson që të arrihet një marrëveshje politike mes tyre. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, sipas tij, qytetarët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për zgjedhje të reja.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), rreth një muaj pas mbajtjes së tyre, ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por nëse ato kanë sjellë vërtet edhe zgjidhje, kjo varet nga partitë politike, gjë që pritet të shihet së shpejti, pasi tashmë kanë filluar bisedimet dhe, kësaj radhe, ato do të duhej përfundimisht të arrinin një marrëveshje, qoftë për bashkëqeverisje, apo të paktën për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Përndryshe, nëse sërish nuk arrihet marrëveshja dhe qytetarët detyrohen përsëri t’u drejtohen kutive të votimit, secili subjekt politik dhe çdo udhëheqës politik vendor, para se të vendosë për përsëritjen e zgjedhjeve, duhet ta arsyetojë mirë veprimin e tij dhe t’ua shpjegojë qartësisht qytetarëve se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve të radhës.
Përndryshe, qytetarët mund t’i bojkotojnë në mënyrë masive zgjedhjet dhe të mos u përgjigjen më thirrjeve të politikanëve për pjesëmarrje në votime ”, deklaroi ai. Sa i përket LDK-së, Qarri vlerëson se kjo parti nuk duhet ta kushtëzojë LVV-në me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, pasi kjo mund të ngjallë reagime te partitë e tjera.
Gani Qarri “Nga ana tjetër, edhe LDK-ja nuk duhet të dalë me kushtëzimin që Vjosa Osmani medoemos të jetë kandidate për presidente të vendit, ngase kjo shkakton reagime te partitë e tjera dhe sjell një ripozicionim të të gjithë spektrit politik në vend, akt i cili mund të nxisë kundërshtime nga disa anë.
Kur dihet se PDK-ja, edhe pas zgjedhjeve të kaluara, ishte kundër kandidaturës së zonjës Osmani, ndërsa AAK-ja, ose të paktën Ramush Haradinaj personalisht, është vetofruar po ashtu për postin e presidentit, pa harruar këtu edhe problemet e saj me LVV-në, bazuar në arsyet e lartcekura, nëse jo të gjitha, të paktën dy ose tri parti mund të dalin kundër kandidaturës së Vjosa Osmanit, gjë që rrezikon edhe arritjen e marrëveshjes.” Më tej, analisti foli edhe për zhvillimet që e presin vendin, derisa tha se dy partitë e mëdha opozitare po përballen me probleme të brendshme.
Në këtë pikë, ai u ndal te LDK-ja dhe kundërshtimet me të cilat përballet kryetari i kësaj partie. Më pas potencoi se të gjitha këto përçarje të brendshme mund të ndikojnë edhe në votimin e presidentit, nëse eventualisht arrihet një marrëveshje me LVV-në.
“Sido që të variojnë përpjekjet që aktualisht po zhvillohen për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme ndërpartiake për zgjedhjen e presidentit, ajo që dihet është fakti se të dy partitë kryesore opozitare vazhdojnë të përballen me probleme të brendshme.
Madje, kryetari aktual i LDK-së, ndërsa thuhet se janë mbledhur mbi 150 nënshkrime për mbajtjen e Kuvendit dhe numri i tyre vijon të rritet, për një kohë të shkurtër mund të mos jetë më personi valid për bisedime në emër të LDK-së.
Ndaj, edhe nëse Abdixhiku nuk shkarkohet tërësisht nga pozita e kryetarit, atij mund të mos i binden të gjithë deputetët e partisë për votimin e presidentit ose, për aq më keq, nga thellimi i mospajtimeve mund të krijohen edhe fraksione më vete e të ndahet përfundimisht partia, gjë që e bën edhe më të pasigurt çfarëdo marrëveshjeje që mund të arrihet mes LVV-së dhe LDK-së, e cila, fatkeqësisht, për momentin ndodhet vërtet në një agoni të plotë.
Habit fakti se vrulli i problemeve të ngritura brenda LDK-së shpërtheu pikërisht në kohën kur kryetari aktual i saj u deklarua i gatshëm për arritjen e një marrëveshjeje ndërpartiake me LVV-në, për të mos e çuar vendin sërish në zgjedhje të reja, të cilat përsëri mund të mos sjellin zgjidhje, madje ta komplikojnë edhe më tepër situatën politike në vend.
Për këtë arsye lind edhe dyshimi se problemi i shfaqur aktualisht në LDK nuk erdhi vetëm si pasojë e pakënaqësive me rezultatet e zgjedhjeve nacionale të 7 qershorit, por duket sikur ka forca brenda kësaj partie që këtë mënyrë të papritur veprimi e kanë zgjedhur pikërisht si formë për ta penguar koalicionin e mundshëm të bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe LVV-së, si dhe zgjidhjen e çështjes së zgjedhjes së presidentit të vendit” , shtjelloi ai.
Duke parë të gjitha zhvillimet, Qarri nuk pret që bisedimet të jenë shumë të lehta mes partive. Madje, ai nuk e përjashtoi mundësinë e përsëritjes së bllokadës. Gjithashtu, ai u ndal edhe te bisedimet mes LVV-së dhe PDK-së, duke thënë se ato nuk duhet të përfundojnë pa një marrëveshje politike.
“Duke pasur parasysh se edhe në këto momente vendimtare gjendja nuk është aspak e thjeshtë dhe dihet mirëfilli se procesi i zgjedhjes së presidentit përsëri ka potencial të fuqishëm bllokues, i cili, përveçse mund të prodhojë sfida të reja politike, mund të çojë sërish në rikthimin e ngërçeve politike dhe në përsëritjen e zgjedhjeve të parakohshme, kryeministri dhe partia fituese duhet të përqendrohen tani më tepër se herën e kaluar te bisedimet me PDK-në, sepse vendi është vonuar shumë dhe Kosova nuk ka më kohë për të humbur, as luksin për të shkuar përsëri në zgjedhje të parakohshme.
Dhe, nëse kushtëzimet e Bedri Hamzës nuk janë kundër interesave të vendit dhe nuk paraqesin pengesa për funksionimin normal të Qeverisë dhe institucioneve të shtetit, bisedimet nuk duhet të përfundojnë pa marrëveshje, por duhet të bëhen kompromiset e nevojshme për hir të Kosovës dhe nxjerrjes së vendit nga gjendja e tanishme e palakmueshme politike dhe institucionale, nga e cila askush nuk ka leverdi dhe humbim të gjithë.
Prandaj, është momenti vendimtar që tri partitë kryesore të hyjnë në bisedime për gjetjen e zgjidhjes dhe jo për prodhimin e arsyetimeve, me qëllimin perfid që vendi sërish të detyrohet të shkojë në zgjedhje, ndërsa pjesëmarrja fiktive e kryetarëve partiakë në takimet me kryeministrin të keqpërdoret, si herën e kaluar, për hedhjen e fajit te pala tjetër për mosarritjen e marrëveshjes.” Në fund, analisti përmendi edhe rreziqet e bllokadës politike, ndërsa bëri thirrje publike që, të paktën kësaj radhe, partitë të arrijnë një marrëveshje politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Rrjedhimisht, ai shtoi edhe nevojën që presidenti i vendit të zgjidhet nga populli dhe kjo të bëhet përmes ndryshimeve të nevojshme kushtetuese.
“Duke e ditur se kjo nuk është legjislatura e parë që mund ta çojë Kuvendin sërish në prag të shpërbërjes, apo edhe te vetëshpërbërja, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e presidentit, nëse nuk arrihet marrëveshje dhe u lihet sërish hapësirë partive politike që seancat e Kuvendit të dështojnë përsëri njëra pas tjetrës, ‘në mungesë kuorumi’, ndërsa palët u rikthehen qëllimisht pretendimeve tanimë të njohura për ta fajësuar njëra-tjetrën se po ua imponojnë qytetarëve shkuarjen në zgjedhje dhe kthimin te kutitë e votimit për herë të dytë brenda këtij viti dhe për të katërtën herë brenda më pak se dy vjetësh, kjo vërtet do të ishte një nga sfidat më të mëdha për vendin dhe një nga aktet më të padëshirueshme për shtetin dhe qytetarët, pasojat e rënda të së cilës paraprakisht nuk mund t’i parashikojë askush me saktësi, gjë që uroj të mos ndodhë.
Nisur nga përvoja e hidhur e mosmarrëveshjeve ndërpartiake për zgjedhjen e presidentit në Kuvend, të cilat e kanë çuar Kosovën disa herë me radhë në zgjedhje të parakohshme, bëjmë thirrje publike që të paktën kësaj radhe të arrihet marrëveshja ndërpartiake për një president konsensual.
Menjëherë pas zgjedhjes së presidentit duhet të sigurohet shumica e dyfishtë dhe të votohen medoemos në Kuvend amendamentet për ndryshimet e nevojshme kushtetuese nga legjislativi i ri, në mënyrë që, tani e tutje, presidenti i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe jo më nga Kuvendi, nëse duam që gjendje të tilla kaq negative për Kosovën të mos përsëriten edhe në të ardhmen, pas mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në vendin tonë ”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.
